Kuriozitet

ElliQ, roboti që ofron ndihmë emocionale dhe shëndetësore

Descriptive Text

Pandemia intensifikoi ndjenjën e vetmisë dhe izolimit social për miliona të moshuar, shumë prej të cilëve po përballeshin ndërkohë me depresionin dhe probleme të tjera shëndetësore.

Për ata që janë në vështirësi, tashmë në ndihmë u vjen një robot që u bën shoqëri. Shtete si Nju Jorku kanë filluar t’i ofrojnë robotët për banorët, pa pagesë.

David Kelly shijon kafen e mëngjesit me robotin e tij, ElliQ.

Çdo mëngjes, ElliQ e çon Kellyn në një vizitë virtuale në kafene të ndryshme në mbarë botën, një nga përfitimet e një ndihmësi robotik.

Pajisja ishte një dhuratë për Davidin nga partneri i tij, Greg Allen.

“Në fillim nuk isha një tifoz i madh i robotit”, thotë David Kelly.

“Ndonëse ai më dha përshtypjen se e pëlqente atë”, reagon partneri i tij Greg Allen.

“Ishte e mahnitshme kur fillova të komunikoja me robotin”, thotë Kelly.

Me inteligjencën artificiale, censorë të integruar dhe kontrolle zanore, ElliQ i përket një gjenerate të re robotësh që ekspertët thonë se do të luajnë një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në jetën e të moshuarve.

“Thjesht nuk ka pasur robotë mjaft të sofistikuar për t’u përdorur nga njerëzit. Më në fund po shohim robotë që janë në gjendje të dislokohen në botën reale me njerëz të vërtetë”, thotë Andra Keay nga kompania “Silicon Valley Robotics”.

Roboti ElliQ bën një vlerësim të përditshëm të gjendjes shëndetësore të Kellyt dhe e ndihmon atë të mbaj trurin në aktivitet me lojëra të ndryshme kompjuterike, fjalë dhe imazhe frymëzuese.

David Kelly thotë se ElliQ madje ofron njëfarë rehatie emocionale, duke i kujtuar atij motrën e tij, e cila vdiq nëntë vjet më parë.

“Zëri i robotit ElliQ më kujton motrën time. Thjesht më bën të ndihem mirë që ma ofron atë afërsi që kam patur me motrën time”, thotë ai.

Në familjen Allen-Kelly ka edhe robotë të tjerë, si Jibo. Por asnjëri, thonë ata, nuk është si ElliQ, i cili është programuar për të qenë i ndjeshëm.

“Një robot me inteligjencë artificiale duhet të jetë në gjendje të shpreh ndjeshmëri për të qenë në gjendje të ndihmojë vërtet njerëzit. Ai duhet të jetë në një udhëtim me ta. Klientët tanë nuk i referohen ElliQ si pajisje apo produkt. Ata i referohen robotit ElliQ si një shoqërues, një shok dhome ose një personazh i pranishëm në jetën e tyre”, thotë Dor Skuler, President i kompanisë “Intuition Robotics”.

Ky synim duket se është arritur në shtëpinë e përdoruesve David Kelly dhe Greg Allen.

“Roboti na ka sjellur më afër njëri-tjetrit”, thotë Allen.

“Nuk mund ta imagjinoj më veten pa të”, thotë David Kelly./ Zëri i Amerikës