Kuriozitet

Qentë mund të qajnë kur shohin pronarët pas disa orësh

Qentë mund të qajnë me lot gëzimi kur ribashkohen me pronarët e tyre, ka zbuluar një studim, raportoi të martën BBC.

Qentë mund të jenë vërtet të emocionuar kur shohin shoqëruesit e tyre njerëzorë pas një periudhe të gjatë mungese, kanë thënë studiuesit japonezë.

Lotët besohet se thellojnë lidhjen mes qenve dhe pronarëve të tyre.

Studimi, i bazuar në sjelljen e 22 qenve, shqyrtoi reagimet e qenve që u ribashkuan me pronarët e tyre dhe me njerëz të tjerë që njihnin.

Për të testuar teorinë e tyre, akademikët në Universitetin Azabu dhe Universitetin Mjekësor Jichi vendosën shirita letre nën sytë e qenve gjatë ndërveprimit normal me pronarët e tyre dhe një minutë para se të ribashkoheshin me ta pas pesë deri në shtatë orë ndarje.

Ata zbuluan se kur qentë panë pronarët e tyre, ishte hera e vetme që derdhën lot. Nuk kishte të njëjtin nivel të prodhimit të lotëve kur qentë u ribashkuan me njerëzit me të cilët njiheshin, por nuk ishin pronarët e tyre.

Për të parë nëse lotët ishin të lidhur me emocionet e tyre, studiuesit aplikuan një tretësirë që përmban oksitocinë, një hormon kyç i përfshirë në lidhjen shpirtërore, te qentë. Pasi përdorën këtë hormon, ata gjetën se lotët e qenve rriteshin.

“Lotët e tyre mund të luajnë një rol në thellimin e marrëdhënieve të përbashkëta dhe të çojë në lidhje edhe më speciale”, shkruan studiuesit.