Kuriozitet

Në Hungari shkarkohet shefi i motit për shkak të parashikimit të gabuar

Dy ekspertët më të mirë të motit në Hungari janë shkarkuar nga detyra për shkak të një parashikimi të gabuar të motit që shkaktoi zhurmë politike.

Ajo që ishte planifikuar si “shfaqja më e madhe e fishekzjarrëve në Evropë” ishte organizuar të shtunën në mbrëmje për të festuar Ditën e Shën Stefanit – festë kombëtare.

Por shtatë orë para fillimit shfaqjes, qeveria e shtyu ngjarjen, duke përmendur paralajmërimet ekstreme të motit.

Rreth 40.000 fishekzjarre ishin gati për t’u hedhur nga 240 pika përgjatë një shtrirjeje 5 kilometra të lumit Daunb në Budapestin qendror, një ngjarje që zakonisht shikohet nga afër dy milionë njerëz, shkruan BBC-ja të martën.

Qeveria e shtyu aktivitetin për një javë për shkak të paralajmërimeve të motit ekstrem.

Por stuhia e shiut, të cilin Shërbimi Meteorologjik Kombëtar e kishte parashikuar, ndryshoi drejtimin dhe goditi pjesë të Hungarisë lindore - duke e humbur plotësisht kryeqytetin.

Shërbimi postoi një falje publike në faqen e tyre në Facebook të dielën, duke shpjeguar se rezultati “më pak i mundshëm” ndodhi dhe se pasiguria është pjesë e parashikimit të motit.

Por ishte tepër vonë.

Të hënën, ministri i Inovacionit Laszlo Palkovics shkarkoi shefat e shërbimit, me efekt të menjëhershëm.

Reagimet në Hungari kanë qenë të ndryshme.

Gati 100,000 njerëz kishin nënshkruar një peticion, duke bërë thirrje për anulimin e fishekzjarreve në një kohë lufte në Ukrainën fqinje.

Mbështetësit e qeverisë, megjithatë, ishin të zemëruar me paaftësinë e supozuar të parashikuesve dhe shpresojnë se shfaqja tani do të vazhdojë siç ishte planifikuar të shtunën e ardhshme.