Kuriozitet

Arabia Saudite planifikon megaqytetin me rrokaqiejt pasqyrë

Një megaqytet saudit i së ardhmes do të ketë dy rrokaqiej që shtrihen në një zonë të shkretëtirës dhe terrenit malor, sipas zbulimeve të fundit mbi projektin nga sundimtari de fakto i mbretërisë, raportoi të mërkurën “The Guardian”.

Strukturat paralele të rrokaqiejve të mbuluar me pasqyrë që shtrihen më shumë se 100 milje, të njohura kolektivisht si Linja, formojnë zemrën e megaqytetit Neom në Detin e Kuq.

Image

I prezantuar për herë të parë në vitin 2017, Neom ka ngritur vazhdimisht pikëpyetje për shkak të propozimeve si taksitë fluturuese e shërbëtoret robotë dhe arkitektët e ekonomistët kanë vënë në dyshim fizibilitetin e tij.

Në një prezantim të fundit, princi Mohammed përshkroi një vizion edhe më ambicioz, që e paraqiste si qytetin më të jetueshëm deri më tash.

Zyrtarët patën thënë se popullsia e Neomit do të shkonte në 1 milion, por princi tha se do të ishte 1.2 milionë deri më 2030, para se të arrijë në 9 milionë më 2045.

Princi tha se qëllimi ishte që deri më 2030 të jenë 50 milionë persona – gjysma sauditë dhe gjysma të huaj.

Image

Deri më 2040, qëllimi tha ai, është 100 milionë persona.

“Ky është qëllimi kryesor i ndërtimit të Neomit, ta rrisim kapacitetin e Arabisë Saudite, të kemi më shumë qytetarë dhe më shumë njerëz në Arabi Saudite. Dhe meqë po e bëjmë këtë nga hiçi, pse duhet t’i kopjojmë qytetet normale”, tha ai.

Një aeroport tashmë është operativ në Neom dhe autoritetet në maj deklaruan se do të fillonin me fluturimet e rregullta nga Dubai, por ende mbetet e paqartë nëse pjesa më e madhe e ndërtimit të megaqytetit ka filluar.

Image

Neom tha se do të krijonte 380.000 vende pune deri në fund të dekadës.