Kuriozitet

22-vjeçares me kancer iu dha një vit jetë, por ajo diplomoi dhe ka shumë plane

Laura Nuttalli ia doli të diplomohej, ndonëse iu dhanë 12 muaj jetë pasi u diagnostifikua me kancer terminal të trurit, raportoi BBC-ja të mërkurën.

22-vjeçares nga Barroëford në Lancashire të Anglisë, iu desh ta linte universitetin në Londër për t’iu nënshtruar trajtimit, por motivi i madh e shtyu atë të vazhdonte shkollimin. Ajo diplomoi për politikë, filozofi dhe ekonomi.

Image

“Mjekët e mi më thanë se nuk do të kthehesha në universitet. Nuk mendoja se do të diplomohesha, por ja ku jam, më në fund. Në vitin tim të parë, nuk isha e sigurt nëse do të arrija deri në diplomim”, deklaroi ajo.

Laura pati formë agresive të kancerit, i njohur nga mjekësia me termin “glioblastoma multiforme”. Këtë e kuptoi pas një testi rutinë të syve.

Pos kancerit, Laura u diagnostifikua edhe me tetë tumore. Në vitin 2018 iu dha vetëm një vit jetë, ndërsa pas heqjes së një pjesë të madhe të tumorit, jetesa iu lehtësua.

“Unë po kthehem pavarësisht asaj që thonë njerëzit. Ky tumor nuk do të më ndalojë”, tha ajo, duke rrëfyer se si ishte ndier në kohën kur u diagnostifikua me tumor.

Gjatë pandemisë së koronavirusit ajo vazhdoi trajtimin mjekësor në Koeln të Gjermanisë.

Për diplomimin e saj, familja organizoi festë të madhe.

Image

“Lauras iu tha se kishte një jetëgjatësi prej rreth një viti dhe nuk do të kthehej fare në universitet, kështu që të shohësh të diplomuarin e saj është thjesht e pabesueshme. Unë e di se sa shumë i është dashur të punojë për të arritur diplomën e saj së bashku me kimioterapinë, operacionin dhe trajtimin e saj, dhe kjo ditë është një festë e vërtetë e këmbënguljes së saj”, deklaroi nëna e Lauras, Nicole.

22-vjeçarja theksoi se tash planifikon të mbledhë para për bamirësi dhe të rrisë ndërgjegjësimin për shëndetin psikik.