Kuriozitet

“Këmbëngulja boshnjake” bën që banania të rritet në Bosnjë-Hercegovinë

Fatima Mehiq nga qyteti Lisiçiq në Bosnjë-Hercegovinë, është pronarja krenare e bananes së parë që dha fryt në këtë vend pas dhjetë vjetësh pritjeje. Fidanin thotë se ia kishte sjell vajza e saj, tashmë e ndjerë, nga Gjermania.

Ajo është bërë senzazion në Bosnjë duke kultivuar frutën ekzotike.

"Kjo banane është një pasqyrim i vërtetë i këmbënguljes dhe kokëfortësisë boshnjake, sepse pas dhjetë vitesh vuajtje, pavarësisht gjithçkaje, mbijetoi dhe dha frytet e para", thotë Fatima për portalin “klix”.

Image

Pema ekzotike në kopshtin pranë rrugës lokale që e ndan atë nga liqeni i Jabllanicës tërheq vëmendjen edhe të kalimtarëve.

Ajo tregon se i ka kushtuar shumë përpjekje e vëmendje rritjes së bananeve, por siç thotë ajo, fruta e parë është një befasi e madhe për të dhe për të gjithë lagjen.

“Vajza ime e ndjerë ma solli një fidan nga Gjermania dhjetë vjet më parë. Më pas e mbolla në një vazo. Pas një viti u transferua në kopsht ku qëndroi dy-tre vjet. Por pasi nuk u zhvillua, fillova duke e lëvizur dhe duke kërkuar një vend të përshtatshem. Me dëshirën ëe të kishte sukses kam kërkuar gjithmonë metoda të reja për ta mbrojtur, kështu që përdora gjethe misri, shkumë, najlon dhe te gjitha mjetet që dija. Deri tash nuk bëri asnjë progres, por kurrë nuk hoqa dorë”, thotë ajo.

Një vit pasi vajza i vdiq, siç tregon ajo, banania pothuajse ishte tharë nga dhimbja e saj, por Fatima as atëherë nuk hoqi dorë.

“Nuk dija çfarë të bëja me të, por e dija që nuk mund ta lija të vdiste, sepse fotografitë e vajzës sime të ndjerë më riktheheshin gjatë gjithë kohës, se si ajo erdhi e lumtur me të, me besimin se unë do të rrisja fidanin dhe në vendin tonë do të kishim frutat e para të bananes”, thotë ajo dukshëm e emocionuar.

Image

Ajo tregon se bananen e ka ujitur me lot dhe ka folur me të duke i lutur që të mbijetojë. Më pas, siç thotë ajo, në një moment i është kujtuar se në deklaratën e saj shkruhej se mund të mbijetonte në temperaturë deri në 18 gradë nën zero gradë celsius, ndaj filloi të monitoronte temperaturën e saj.

“Edhe vitin e kaluar nuk e mbrojta dhe për herë të parë këtë vit e krasita diagonalisht, sepse kjo ishte metoda e vetme që nuk e përdora dhe tash më në fund dha frytet e saj. I janë dashur 10 vjet të përshtatet me klimën tonë, por tash ka prodhuar frutat e para dhe jam shumë e lumtur për këtë. Sipas vlerësimit tim, frutat duhet të piqen diku në gusht dhe besoj se do të jenë të shijshme”, u shpreh ajo.

Sipas saj, sekreti i rritjes së bananeve në Bosnjë është vetëm dashuria dhe këmbëngulja e madhe.

“Mund të them lirisht se kjo banane nuk është vetëm një frutë e pazakontë ekzotike në rajonin tonë, por një reflektim i këmbënguljes dhe kokëfortësisë së Bosnjës-Hercegovinës për të pasur sukses”, ka shtuar Fatima. /klix

Image