Kuriozitet

Aligatori bllokon për më shumë se një orë trafikun në SHBA

Descriptive Text

Një aligator gjigant është endur rrugës State Road 417 në Florida të SHBA-së të mërkurën në mëngjes, duke penguar trafikun për gati një orë, sipas Zyrës së Sherifit të Qarkut.

Sipas zyrës, aligatori ka të ngjarë të ketë ardhur nga liqeni Jesup, i cili është "liqen i populluar nga kjo lloj kafshe", ka thënë për CNN, Bob Kealing, administrator i informacionit publik për zyrën e sherifit.

Kealing i tha CNN-it se aligatori ishte në rrugë nga ora 8:00 deri në 9:00 të mëngjesit me orën lokale.

"Kjo është koha e vitit kur aligatorët janë veçanërisht në lëvizje, është sezoni i çiftëzimit," tha ai.

Stafi nga Komisioni për Ruajtjen e Peshkut dhe Botës së Egër në Florida mbërriti për të zhvendosur aligatorin rreth orës 9 të mëngjesit.

Kealing këshilloi shoferët që të telefonojnë gjithmonë 911 nëse ndeshen me një aligator në rrugë.

"Këto janë kafshë të rëndësishme, ato mund të shkaktojnë dëme të konsiderueshme nëse nuk i shihni dhe i shkelni”, ka thënë ai.