Kuriozitet

Kur Dobrica Qosiq jetoi 15 minuta me lajmin se kishte marrë Nobelin për Letërsi

Për 15 minuta Dobrica Qosiq kishte marrë qindra thirrje urimi. Për 15 minuta akademiku famëkeq serb kishte menduar se ishte fitues i Çmimit Nobel për letërsi. Të paktën ashtu i ishte lajmëruar përmes telefonit në një mesditë të vitit 2011, transmeton Koha.net.

Gazetari Serdjan Qeshiq kishte pasur dhe kishte realizuar një plan të tallej me akademikun.

Ai kishte krijuar një uebfaqe të rrejshme, por të ngjashme me atë të Çmimit Nobel. Një orë para se të bëhej i ditur fituesi i këtij Çmimi.

Qeshiq, duke u shtirur si sekretar i Çmimit Nobel, kishte thirrur Akademinë e Shkencave të Serbisë, për t'ua kumtuar lajmin se Qosiq ishte fitues i Çmimit.

Në natën e tretë të “Digital-Born Media Carnival”, që po mbahet në Kotor të Malit të Zi, raporton gazetari i Koha.net, ish-anëtari i Partisë liberale në Serbi, në temën për Fake News, ka treguar se atë ditë e kishte thirrur në telefon Qosiqin për t'i treguar se ishte fitues.

“Ja”, ishte përgjigja e Qosiqit në telefon, në shenjë habie.

“Si krejt anëtarët tjerë të Akademisë edhe ai nuk dinte gjuhë të huaj. Fjala 'Ja' i ka mbetur nga Gjermania, si shtet okupues”, ka thënë Qeshiq.

Nga një zyrtare e Presidencës në vitin 2011, Qeshiq kishte mësuar se Qosiq kishte telefonuar presidentin e atëhershëm, Tadiq për t'i treguar se ishte fitues i Nobelit.

“Kam marr vesh se e kanë bërë një aheng të vogël Tadiqi me Qosiqin”, ka treguar Qeshiq sot duke qeshur.

Pre e këtij lajmi të rrejshëm kishte rënë edhe Agjencia e Lajmeve B92, e cila kishte postuar në ballinë lajmin për Çmimin Nobel.

“Një kolege e imja që punonte aty e kishte parë që unë e kam shpërndarë lajmin e B92 filloi të dyshonte se lajmi ishte i rrejshëm”, ka treguar ai.

“Pastaj ajo e ka konfirmuar se lajmi është i rrejshëm dhe ka vrapuar nëpër redaksi për të fshirë lajmin”.

“Kolegët e mi kanë treguar se ajo vazhdimisht ka bërtitur: 'fshijeni, fshijeni shpejt atë lajm”, ka përfunduar fjalimin Qesiq

Kjo storie ka hyrë tashmë në biografinë e Dobirca Qosiqit i cili ka vdekur më 18 maj 2014.

Qosiq ka qenë i ithtar i ndarjes së Kosovës ndërmjet Serbisë e Shqipërisë.