Kuriozitet

Djali i Bidenit lë gruan për të venë e vëllait

Reja e ish-zëvendëspresidentit amerikan Joe Biden është në lidhje me Hunter Biden, vëllanë e burrit të saj të ndjerë Beau.

Beau Biden, ish-gjykatës gjeneral i Delaware, vdiq në vitin 2015, duke pikëlluar gjithë familjen dhe luajti një rol të madh në vendimin e babait të tij që të mos kandidonte për president të Amerikës pas Barack Obamës.

Hunter Biden, 47-vjeçar, u nda nga gruaja e tij Kathleen, 48-vjeçare, në vitin 2015, kanë bërë të ditur burimet. Ndarja nuk ishte bërë publike më parë.

Vëllai tani është në lidhje me të venë e Beau Biden, ka njoftuar vetë çifti në një deklaratë për Page Six të New York Post, transmeton Koha.net.

“Hallie dhe unë kemi pasur fatin që të gjejmë dashurinë dhe përkrahjen për njëri-tjetrin në një kohë të vështirë. Kjo është vërejtur edhe nga njerëzit që na kanë dashur. Jemi me fat që kemi familje dhe shokë që na kanë përkrahur në këtë rrugë hap pas hapi”, thuhet në njoftimin e tyre.

Ish-zëvendëspresidenti Joe Biden dhe gruaja e tij Jill, në një komunikatë kanë ofruar përkrahjen e tyre për çiftin e ri.