Kuriozitet

Restoranti i përmbytur kthehet në atraksion në Tajlandë

Një restorant i përmbytur nga vërshimet në Tajlandë është kthyer atraksion pasi adhuruesit e ushqimit nisën ta vizitonin për të përjetuar “diçka të pazakontë”.

Në vend të karrigeve dhe tavolinave të zbrazëta, “Chaopraya Antique Cafe” është më e mbushur se kurrë duke ofruar përvoja që njerëzit s’i kanë përjetuar më parë.

Nëse tajlandezët dëshirojnë të ushqehen e t’i mbajnë këmbët në ujë, ky është vendi për ta.

Restoranti në afërsi të Bangkokut, u hap në muajin shkurt afër një liqeni që i përshtatej arkitekturës antike dhe dekorit të vendosur aty. Por kjo ndryshoi shumë shpejt. Një stuhi tropikale e me shumë shi, ngriti nivelin e ujit dhe rezultati është krejt ndryshe prej parashikimeve.

Pasi lokacioni mori pamje tjetër, me shtytjen e mediave, restoranti u bë aq i famshëm sa që është gjithmonë i rezervuar.

“Është atmosferë e mrekullueshme. Gjatë krizës së vërshimeve u bë atraksioni kryesor. Andaj desha ta sfidoj veten e të vij dhe ta përjetoj këtë përvojë të re”, ka thënë një nga vizitorët aty e restorantit, për “Associated Press”.

Pronari i restorantit ka thënë se ka qenë i shqetësuar kur kishte parë vërshimet, por është shfaqur i habitur me përgjigjen e klientëve. Titiporn Jutimanon është shprehur se gjëja që e ka bërë më të lumtur nga kjo ka qenë që nuk i është dashur të kthejë në shtëpi stafin.