Kuriozitet

Trajneri legjendar i Argjentinës ende nuk e ka marrë vesh se ka vdekur Maradona

Para më pak se një viti, bota e futbollit u trondit nga lajmi për vdekjen e legjendarit Diego Armando Maradona.

Ai vdiq si pasojë e një infarkti, por ka të tillë që ende nuk dinë lajmin për këtë. Madje, një që ishte tepër i lidhur me të.

Carlos Bilardo, ish-seleksionuesi i Argjentinës që drejtoi “gauçosët” me Maradonën në krye të fitojë Botërorin 1986 në Meksikë, nuk e di këtë lajm. Familja e tij po ia fsheh lajmin, pasi nuk është në gjendje të mirë shëndetësore dhe druan se çdo informacion i tillë mund t’ia përkeqësojë shëndetin, shkruan Sport1  të mërkurën.

Bilardo vuan nga një sëmundje neuro-degjenerative e njohur si sindroma Hakim-Adams, e cila në mënyrë progresive shkakton vdekjen e qelizave nervore, duke rezultuar me vështirësi të lëvizjeve dhe funksionin mendor.

Bilardo kishte marrëdhënie të veçantë me Diegon dhe shpesh pyet të afërmit e tij se si është Maradona, por gjendja shëndetësore e ish-trajnerit të Argjentinës nuk e lejon atë të dëgjojë ndonjë lajm tronditës.