Kuriozitet

Kanada lëshon letërnjoftimin me gjini “të panjohur”

Një bebeje në British Columbia, Kanada, i është lëshuar letërnjoftimi me gjini “të panjohur”, pasi prindërit e foshnjës luftuan që ta rrisin të porsalindurin me gjini neutrale.

Kori Doty është prind transgjinor jo-binar që po ashtu po lufton që gjinia e fëmijës tetë muajsh t’i hiqet nga certifikata e lindjes, e po ashtu edhe nga dokumentet tjera qeveritare.

“Shpesh them se nuk e di, apo se nuk po ngutem që t’i vë këto lloj etiketime këtij fëmije. Momentalisht është vetëm fëmijë”, ka thënë Doty kur u pyet për gjininë e fëmijës, transmeton Koha.net.

Doty raportohet të ketë sjellë në jetë beben Searyl në një shtëpi të një mikeje nëntorin e kaluar, dhe si i tillë, gjinia e foshnjës nuk është regjistruar nga një profesionist mjekësor. Kur Doty e regjistroi lindjen e Searylit në Agjencinë e Statistikave Jetësore në Kanada, gjinia e foshnjës u regjistrua si “e panjohur”.

Agjencia u pajtua që ta regjistronte lindjen, por refuzon të lëshojë certifikatë lindjeje për Searylin pasi që ASJ kërkon që në certifikatë të lindjes së specifikohet gjinia e personit.

Doty është ankuar për këtë vendim, raporton “Vancouver Sun”, por në mënyrë krejt të papritur pranoi një kartelë neutrale ndaj gjinisë gjatë muajit qershor. Kjo kartelë i është siguruar nga Ministria e Shëndetësisë dhe është lëshuar nga Ministria e Teknologjisë, Inovacionit dhe e Shërbimeve për Qytetarë.

“Unë nuk ia caktoj gjininë fëmijës tim”, ka thënë Doty në një deklaratë. “Varet nga Searyl që të vendos se çfarë gjinie të ketë kur të rritet e të zhvillohet”.

“Nuk dua t’ia kufizoj zgjedhjet bazuar në një përcaktim arbitrar të gjinisë qysh në lindje duke u bazuar thjeshtë në një inspektim të organeve gjenitale”, ka shtuar Doty.

Kartela e shërbimeve neutrale ndaj gjinisë do të ndihmojë në fuqizimin e rastit të Dotyt, ka thënë avokatja e saj, Barbara Findlay.

Kujtojmë se precedentë të ngjashëm kanë ndodhur në pjesë tjera të Kanadasë: Alberta lejon që njerëzit të vënë “X” tek hapësira e gjinisë në certifikatat e lindjes dhe në dokumentet tjera qeveritare, ndërsa Ontario ofron kartela shëndetësore neutrale ndaj gjinisë sikurse edhe patentë shoferë, dhe këtë planifikon ta aplikojë edhe në certifikata të lindjes nga viti i ardhshëm.

Edhe qyteti i New Yorkut në SHBA ka lëshuar vitin e kaluar certifikatën e parë jo-binare të lindjes. Gjermania, e cila të premten miratoi martesat mes gjinisë së njëjtë, është bërë vendi i parë në Evropë që lejon prindërit të heqin gjininë e fëmijëve të tyre nga certifikata e lindjes më 2013.