Kuriozitet

Sportistes japoneze i zëvendësohet medalja e artë olimpike, të cilën ia kafshoi kryebashkiaku

Një medalisteje të artë olimpike i është dhënë një medalje e re pasi kryebashkiaku i qytetit të saj kafshoi medaljen e parë, raporton BBC.

Takashi Kawamura, kryebashkiak i qytetit japonez Nagoya, nxiti reagime nëpër rrjete sociale kur uli maskën dhe kafshoi medaljen e fituar në softball nga sportistja Miu Goto.

Ai është akuzuar se ka injoruar kufizimet kundër COVID-19 dhe po ashtu për mungesë respekti.

Tash, zyrtarët e Lojërave Olimpike i kanë ofruar sportistes që ta shkëmbejë medaljen me një medalje të re, pasi kryebashkiaku kërkoi falje dhe tha se do të paguante për një medalje të re.

Kryebashkiaku gjeti veten në qendër të kritikave pasi kafshoi medaljen javën e kaluar në një ceremoni për të festuar fitoren e Japonisë ndaj SHBA-së në finalen e softballit në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”.

Kryebashkiaku 72-vjeçar kërkoi falje për veprimet, ndërsa te autoritetet e qytetit erdhën mbi 7000 ankesa.

Organizatorët e “Tokio 2020” kanë treguar se janë pajtuar me Komitetin Olimpik Ndërkombëtar dhe sportisten Goto për zëvendësimin e medaljes.

Komiteti Olimpik Ndërkombëtar do t’i paguajë shpenzimet.