Kuriozitet

Polici lëshon këngë në telefon për t’ua pamundësuar protestuesve ngarkimin e një videoje në YouTube

Një oficer amerikan i Policisë ka lëshuar një këngë të Taylor Swiftit në telefonin e tij, në përpjekje për të ndaluar disa aktivistët të cilët po e xhironin, që ta ngarkonin videon e tyre në YouTube.

Polici e kishte bërë këtë veprim, duke u bazuar në rregulloren e platformës YouTube, e cila largon videot që shkelin rregullat e të drejtës autoriale.

Pavarësisht kësaj, përpjekjet e oficerit shkuan huq, pasi që xhirimet në Oakland të Kalifornisë u bënë virale.

Videoja ishte xhiruar nga anëtarët e Projektit Kundër Terrorit Policor (APTP) të cilët thonë se ky është një koalicion që synon të “çrrënjosë terrorin policor mbi komunitetet me ngjyrë”.

Ata ishin duke protestuar jashtë ndërtesës së gjykatës, gjatë kohës kur po zhvillohej seanca paraprake ndaj një oficeri të San Leandros, i akuzuar për vrasjen e një njeriu të zi.

Në videon e xhiruar nga këta aktivistë, oficeri policor dëgjohet duke thënë se ata nuk do të mund ta ngarkojnë videon në YouTube.

“Mund të xhironi çfarë të doni, unë vetëm e di se nuk mund ta postoni në YouTube”, ka thënë oficeri.

Departamenti i Policisë ku punon oficeri që e ka bërë këtë veprim, ka deklaruar se kjo nuk është një sjellje e aprovuar dhe se nuk do të ndodhë më.

Ndërkohë, videoja e cila është publikuar në YouTube më 1 korrik, ka më shumë se 180,000 shikime deri më tani.