Kuriozitet

Kafka masive e zbuluar në Kinë nxit shkencëtarët ta rimendojnë evolucionin

Analizat e bëra me mbetjet e gjetura kanë treguar për një degë të re në trungun familjar të njerëzimit që aludon në një grup simotër më herët të panjohur, i cili është më ngushtësisht i lidhur me njerëzit modernë sesa neandertalët. Shkencëtarët kinezë e kanë cilësuar fosilin e jashtëzakonshëm si një specie e re njerëzore, të cilën e quajtën Homo longi apo “njeriu dragua”

Zbulimi i një kafke masive fosile që ishte e mbështjellë dhe e fshehur në një pusetë kineze afro 90 vjet më parë ka nxitur shkencëtarët që ta rishkruajnë historinë e evoluimit njerëzor.

Analizat e bëra me mbetjet e gjetura kanë treguar për një degë të re në trungun familjar të njerëzimit që aludon në një grup simotër më herët të panjohur, i cili është më ngushtësisht i ndërlidhur me njerëzit modernë sesa neandertalët.

Fosili i jashtëzakonshëm, ka shkruar të premten e përditshmja britanike “Guardian”, është emërtuar si specie e re njerëzore, Homo longi apo “njeriu dragua”, nga shkencëtarët kinezë. Kjo megjithëse ekspertët e tjerë janë më të matur rreth emërtimit.

“Mendoj se kjo është njëra prej gjetjeve më të rëndësishme në 50 vjetët e fundit”, ka thënë profesori Chris Stringer, shef i kërkimeve në Muzeun Kombëtar të Historisë në Londër, i cili ka punuar në këtë projekt. “Është ky një fosil i ruajtur në mënyrë të mrekullueshme”, ka theksuar ai për Guardian.

Zbulimi

Image

Kafka duket se e ngërthen në vete një rrëfim të jashtëzakonshëm. Sipas shkencëtarëve, ishte gjetur fillimisht më 1933 nga punëtorët kinezë që po punonin në ndërtimin e një ure sipër lumit Songhua në Harbin, gjatë okupimit japonez. Për ta pamundësuar rënien e saj në duart e japonezëve, ajo është mbështjellë dhe fshehur në një pusetë të braktisur, për të dalë në sipërfaqe më 2018, pasi që burri që e kishte fshehur atë ia kishte rrëfyer ngjarjen nipit të tij para se të vdiste.

Një ekip ndërkombëtar i prirë nga profesori Qiang Ji në Universitetin kinez Hebei Geo u mbështet në teknikat gjeokimike për ta përcaktuar kohën kur kafka është lënë në Harbin. Kësisoj ka zbuluar se ajo është të paktën 146 mijë vjet e vjetër.

“Kafka ka një kombinim unik të tipareve primitive dhe më moderne, ndërkaq fytyra, në veçanti, u ngjason më tepër homosapiensëve”, ka shkruar Guardian. .

Duke qenë 23 centimetra e gjatë dhe më shumë se 15 centimetra e gjerë, kafka është theksueshëm më e madhe sesa ajo e njerëzve modernë dhe e ka edhe një hapësirë bollshme, prej 1.420 milimetrash, të ndarë për trurin, nëse llogaritet me përmasat e njerëzve modernë.

“Ky burrë ka pasur një kokë gjigante”, ka theksuar Stringeri.

Shkencëtarët besojnë se kafka i përkiste një burri, rreth 50 vjeç, i cili në ditët e sotme do të ishte një specie me fizik mbresëlënës. Hunda e tij e gjerë i lejonte që të thithte sasi të mëdha ajri teksa madhësia ia garantonte përballimin e kushteve të ashpra të motit dimëror në rajon, ka shkruar gazeta britanike.

“Homo longi është trupmadh, tepër i fuqishëm”, ka thënë profesori Xijun Ni, një paleoantropolog në Hebei. “Vështirë është që t’i përcaktohet gjatësia, por koka masive duhet të jetë e përkueshme me një lartësi më të madhe sesa mesatarja e njerëzve modernë”.

Përcaktimi i linjës së prejardhjes

Për të përcaktuar se cilës pjesë të historisë njerëzore i takon, shkencëtarët kanë krahasuar matjet e fosilit me 95 kafkat e tjera nëpërmjet një sofware që ka përpiluar trungun më të mundshëm familjar. Për befasinë e tyre, kafka nga Harbini dhe një sërë të tjera nga Kina kanë formuar një degë të re më të përafërt me njerëzit modernë sesa neandertalët.

Shkencëtarët kinezë besojnë se kafka nga Harbini është mjaftueshëm e veçantë për ta përbërë një specie të re, porse Stringer nuk është aq i bindur. Ai beson se ajo është e ngjashme me një tjetër të tillë, të gjetur në Dali county të Kinës më 1978.

“Preferoj ta quaj Homo daliensis, por kjo nuk është fort punë e madhe”, ka thënë ai për Guardian. “Gjëja e rëndësishme është linja e tretë e njerëzve më të mëvonshëm që janë të veçantë prej neandertalëve dhe të veçantë prej homosapiensëve”.

Pa marrë parasysh emrin, gazeta britanike ka shkruar se një mundësi është që kafka nga Garbini është Denisovan, një grup misterioz i qenieve të moçme njerëzore të dallueshme nga ADN-ja dhe fragmentet kockore të zbuluara në Siberi.

“Pa dyshim, kjo specie mund të jetë Denisovane, por duhet të jemi të matur. Çfarë na duhet është material më i kompletuar skeletor i Denisovianëve, bashkë me ADN-në”, ka thënë Stringeri.

Profesori John Hawks, një paleoantropolog nga Universiteti Wisconsin-Madison, ka thënë se ideja rreth një dege të re të njerëzimit është “pretendim provokues”, për shkak se kafkat mund të duken të ngjashme, madje edhe mes të afërmve të largët. Ai ka shtuar se përkatësia Denisovane ishte një hipotezë e mirë, ndonëse kishte rezerva.

Profesori i shkencave të sistemit të tokës në UCL dhe autor i librit “The Cradle of Humanity”, Mark Maslin, duke folur për Guardian ka thënë se ruajtja e mirë e kafkës njerëzore arkaike në Harbin të Kinës ofron akoma më shumë dëshmi se evoluimi i njerëzimit nuk ishte një trung i thjeshtë evolucionar, por një shkurre e dendur e ndërthurur.

“Analizat gjenetike tregojnë se këto specie kanë ndërvepruar dhe janë ndërlidhur – vetë gjenetika jonë përmban një trashëgimi të shumë prej këtyre specieve fantazmë. Por këndjellës është fakti se pavarësisht të gjitha divergjencave, një version i ri i homosapiensëve është shfaqur nga Afrika rreth 60 mijë vjet më parë, gjë kjo që qartazi i tejkapërcen speciet e tjera të ndërlidhura ngushtësisht, duke e nxitur zhdukjen e tyre. Vetëm nëpërmjet kërkimeve të mundshme dhe analizave me fosilet e tyre, si në rastin e kafkës në Harbin, ne mund të dimë më shumë për ekzistencën e tyre”, ka theksuar ai për Guardianin.