Kuriozitet

Mosvënia e kravatës nga deputeti nxit debat në Kuvendin e Zelandës së Re

Descriptive Text

Parlamenti i Zelandës së Re është tërhequr nga përplasja me një deputet që kishte refuzuar të bartte kravatë në seancë. Rawiri Waititit iu lejua t’i drejtohej deputetëve, një ditë pasi u përjashtua për shkak të shkeljes së kodit të veshjes, pasi po bartte një qafore tradicionale të quajtur ‘hei-tiki’ në vend të kravatës.

Kryeparlamentari më pas ka thënë se kravatat më s’do të kërkohen si pjesë e “veshjeve të përshtatshme”.

Në anën tjetër, Waititi e ka quajtur “fitore për shumë gjenerata që do të vijnë”.

Me këtë është nënkuptuar që Kuvendi i Zelandës së Re është një hapësirë ku të gjithë mund të shprehin lirshëm identitetin e tyre kulturor, ka thënë ai për BBC.

Waititi ishte përjashtuar nga seanca të martën për shkak të rregullit që u kërkon deputetëve të bëjnë pyetje vetëm nëse bartin kravatë.

Kryeparlamentari Trevor Mallard dy herë ia ndaloi fjalën Waititit para se ai të përjashtohej fare.

“S’është puna për kravatat, por për identitetin kulturor”, kishte thënë Waititi teksa largohej nga seanca.

Incidenti ishte vazhdimësi e telasheve të së kaluarës, pasi Waititit vitin e shkuar i ishte paralajmëruar përjashtimi nëse nuk mban kravatën.

Ndërkaq të mërkurën, kur u kthye në seancë, Waititit iu mundësua bërja e pyetjeve edhe pse ishte me qafore. Mallard më pas njoftoi se me vendim të shumicës së një Komisioni për rregulloren e Kuvendit – kravatat s’do të jenë më obligative.

Kryeministrja Jacinda Ardern më herët kishte thënë se kjo çështje s’duhet të nxisë debat, e se ka çështje tjera për t’u fokusuar.