Kuriozitet

Turqia do të monitorojë me radarë shpendët që rrezikohen nga zhdukja

Ankara, 15 qershor - Ministria e Mjedisit dhe Urbanizmit e Turqisë do të realizojë projekt për monitorimin e shpendëve, me të cilin për herë të parë në Turqi përmes radarit të parë vendas do të monitorohen shumë specie të shpendëve të rrezikuara nga zhdukja.

Sipas të dhënave të siguruara nga AA nga Drejtoria e Mbrojtjes së Pasurive Natyrore e Turqisë, ministria është duke i vazhduar aktivitetet për ndjekjen nga afër të specieve të shpendëve që rrezikohen nga zhdukja dhe ato për mbrojtjen e tyre.

Në këtë drejtim, ministria është në përgatitje për ta materializuar projektin e sistemit për monitorimin e shpendëve, migrimin e tyre, rrugën që përshkojnë dhe vendet ku strehohen dhe riprodhohen.

Radari i parë vendas i Turqisë, KUŞRAD, i zhvilluar nga Këshilli Turk për Hulumtime Shkencore dhe Teknologjike (TÜBİTAK), do të integrohet në projektin në fjalë, në mënyrë që për herë të parë në Turqi të monitorohen shumë specie shpendësh të rrezikuara nga zhdukja, siç janë flamingoja, shqiponja e stepave, shqiponja perandorake e lindjes, skifteri shtegtar dhe të tjera.

Përmes sistemit të radarit, do të mund të monitorohen vetë shpendët madje edhe teksa janë në fluturim, vendndodhja e tyre, riprodhimi dhe llojet.

Deri më tani, shpendët janë monitoruar individalisht përmes çipave të vendosur, ndërsa në saje të projektit do të mund të bëhen edhe vëzhgime shkencore të lëvizjeve kolektive të shpendëve.

Projekti planifikohet të fillojë të zbatohet në vitin 2018.