Kuriozitet

Mesazhi i ditarit të Ana Frankut pas 75 vitesh

Janë mbushur 75 vjet që kur Ana Frank filloi të shkruajë ditarin që përshkruan jetën e saj nën dominimin nazist të Evropës në vitet ’40-të. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Anush Avetisyan, shkrimet e Anës vazhdojnë të shërbejnë si një provë e hershme e Holokaustit.

Ana Frank ishte një adoleshente e zakonshme që jetonte në Holandë, kur filloi të shkruajë faqen e parë të ditarit që e mori si dhuratë kur mbushi 13 vjeç. Ajo u zhvendos së bashku me familjen nga Frankfurti, kur Hitleri filloi ngjitjen në pushtet. Ajo e filloi ditarin vetëm pak javë përpara 5 korrikut 1942, kur familjes së saj iu tha se do të deportoheshin në kampin e përqendrimit Westerbork.

“Rreshtat e para që ajo shkroi 75 vjet më parë tregojnë grimcat e fundit të normalitetit, të jetës së një vajze me shoqe, me plane sociale dhe me ushqim të bollshëm. Në vazhdim, ajo tërhiqet me shpejtësi drejt një bote ku i duhet të fshihet fizikisht”, thotë historiania Edna Friedberg, e Muzeut Kombëtar të Kujtesës për Holokaustin.

Kjo dhomë në Amsterdam u shndërrua në strehë për familjen e Anës dhe për disa hebrenj të tjerë. Një raft librash mbulonte hyrjen për tek dhoma ku Ana kaloi orë të tëra duke i shkruar letra shoqes së saj imagjinare, Kiti. Si një adoleshente normale, ajo shkruan rreth telasheve të saj: dashurisë dhe familjes, por edhe për ushqimin e pakët gjatë Holokaustit.

Ajo shkroi faqen e fundit të ditarit më 1 gusht 1944. Të gjithë personat që fshiheshin në godinë u zbuluan, u arrestuan dhe u dërguan në kampet e vdekjes. Ana vdiq në mars të vitit 1945.

“Një nga fjalitë e saj është cituar gjerësisht, kur ajo shkruan se ‘megjithatë, ende besoj se njerëzit kanë mirësi në zemër’. Në njëfarë mënyre, kjo e paraqet si një person që e shikonte gjithçka përmes lenteve rozë. Por, nëse e lexon të gjithë ditarin, në fakt e kupton se ajo ishte e vetëdijshme për padrejtësitë që po i bëheshin”, thotë historiania Edna Friedberg.

Babai i Anës, Oto Frank, i vetmi anëtar i familjes që i mbijetoi Holokaustit, vendosi ta botojë ditarin si një dëshmi se vajza e tij jetoi, dashuroi dhe shpresoi. Ana u shndërrua në zërin e gjashtë milionë hebrenjve, viktima të holokaustit.

75-vjeçarja Louisa Lawrence Israels është një e mbijetuar. Kur ishte fëmijë, ajo jetonte në rrugicën e Ana Frankut në Amsterdam. Sot ajo ka tre vajza dhe gjashtë nipër e mbesa. Por, gjatë gjithë jetës së saj, i është dashur t’i përgjigjet pyetjes se si ndjehet që ajo mbijetoi, ndërsa fqinja Ana Frank nuk arriti të mbijetojë.

“Më vjen keq që jam fatlumja që mbijetoi. Më vjen keq që atë e kallëzuan dhe nuk shpëtoi dot. Më kujtohet se kur ditari u botua nga babai i saj, e gjithë Holanda e urreu. Në atë kohë, askush nuk donte të fliste për këtë gjë. Tani e kuptoj se sa e rëndësishme ishte, pasi pjesa tjetër e botës nuk e besonte çfarë kishte ndodhur. E hapi këtë histori për të gjithë botën, në veçanti për Amerikën. Ditari i kësaj vajze i tha botës se duhej të besonin”, thotë e mbijetuara e Holokaustit, Louise Lawrence Israels.