Kuriozitet

Studenti krijon stole nga maskat

Descriptive Text

Disenjatori i mobilieve, studenti jugkorean Kim Ha-neul, është duke i transformuar në stola maskat e përdorura dhe me këtë mënyrë, synon të tregojë se maskat mund të riciklohen.

Me këtë shpreson se do ta shtojë ndërgjegjësimin te njerëzit rreth ndotjes së ajrit që po shkakton ndotja e maskave në pikun e pandemisë së koronavirusit.

“Plastika është e riciklueshme, por pse nuk i riciklojmë maskat që janë bërë nga plastika? I kisha dyshimet e mia se pse maskat po digjeshin. Kështu që, si një njeri që bën mobilie, doja të tregoja se mund t’i riciklojmë”, ka thënë ai.

Kim e shpjegon rrjedhën e këtij procesi.

“Kjo maskë njëpërdorimshme që e bartim bëhet nga shiritat elastikë, telat dhe filtruesit. Këta filtrues që i përdor janë plastikë e riciklueshme. I kam shkrirë filtruesit dhe i kam transformuar në këtë formë të vështirë thjesht për ta testuar. Bazuar në këtë metodë, e përdori këtë masë dhe i bëj këmbët. Kështu krijohet ky stol”.

Koreja Jugore ka prodhuar më shumë se 624 milionë maska, vetëm në nëntor, përfshirë ato me filtrim të ajrit, maskat kirurgjike dhe maskat kundër pikave.

Dizajnuesi vendosi një shportë në shkollën e tij në qershor. Mblodhi 10 mijë maska të përdorura.

Një fabrikë lokale e maskave gjithashtu siguroi më shumë se një tonë maskash të dëmtuara dhe mbetjet e filtrave për projektin e tij.

Ai i mban maskat e përdorura në depo katër ditë dhe pastaj e përdor një armë nxehtësie për t’i shkrirë në një temperaturë prej 300 gradë Celsius për ta parandaluar infektimin.

Dizajnimi kryesor i Kimit, një stol trekëmbësh i lartë 45 centimetra që është quajtur “Stack and Stack”, do rreth 1,500 maska.

I duhen tri orë që ta bëjë një stol dhe deri më tani i ka bërë 15.

Ai i ka krijuar stolat për ekspozitën e tij të diplomimit dhe janë bërë të famshëm në mesin e kolegëve të tij. Disa shfaqen në galerinë e shkollës.

“Nuk e munda ta imagjinoja se stolat ishin bërë nga maskat. Tani që po i shoh, duken tepër bukur dhe dua ta kem një në shtëpinë time, kështu që ia kërkova një. Shokët e mi gjithashtu kanë pyetur nëse mund të blejnë”, shtoi ai.

Por Kim ka thënë se stolat ende nuk kanë dalë në shitje. Ai po planifikon ta zgjerojë konceptin duke bërë seri të plota të mobilieve.

Pret që të shtohen shportat për grumbullimin e maskave dhe po planifikon të bashkëpunojë me ndonjë kompani. Mirëpo, qëllimi i tij nuk është te fitimi i parave.

Shpreson që kompania me të cilën do ta bashkëpunojë do të ketë pikëpamje të ngjashme me të për mjedisin.