Kuriozitet

Deri në fund të shekullit temperatura mund të rritet për 3°C

Nju Jork, 14 dhjetor – Ndonëse ngadalësimi ekonomik i shkaktuar nga pandemia e koronavirusit (COVID-19) këtë vit pritet të shkaktojë që emisionet e dioksidit të karbonit të bien me 7 %, bota është ende duke ecur drejt rritjes së temperaturave prej më shumë se 3 gradë Celsius deri në fund të këtij shekulli, thuhet në raportin e OKB-së, transmeton ATSH raportimet.

Programi i Kombeve të Bashkuara për Mjedisin Jetësor (UNEP) ka publikuar në “Raportin e Emisioneve të Gazit 2020” se megjithatë, nëse qeveritë përmbushin premtimet e bëra në Marrëveshjen e Parisit për Ndryshimet Klimatike, emetimet mund të çojnë në nivele që janë në përputhje me qëllimin e marrëveshjes për të ruajtur rritje mesatare të temperaturës më pak se 2 gradë Celsius në raport me periudhën para-industriale.

Më tej thuhet se rikuperimi i gjelbër pas pandemisë globale mund të zvogëlojë emetimet e parashikuara të gazrave serrë deri në 25 % deri në vitin 2030 dhe ta sjellë botën më pranë arritjes së qëllimit të caktuar.

Viti 2020 mund të jetë një nga më të ngrohtit

Drejtoresha ekzekutive e UNEP-së, Inger Andersen tha se ‘’ky vit me siguri do të jetë një nga vitet më të ngrohta deri më tani’’.

“Viti 2020 është në rrugën e duhur për të qenë një nga më të ngrohtit, teksa zjarret në pyje, stuhitë dhe thatësira vazhdojnë të shkatërrojnë. Raporti i UNEP-së megjithatë tregon se një rikuperim i gjelbër pas pandemisë mund të zvogëlojë një pjesë të madhe të emetimeve të gazrave serrë dhe të ndihmojë në ngadalësimin e ndryshimeve klimatike”, tha Andersen.

Qeveritë duhet të mbështesin rikuperimin e gjelbër

Ajo u bëri thirrje qeverive anembanë botës për të mbështetur rikuperimin e gjelbër në fazën tjetër të ndërhyrjes fiskale kundër pandemisë së koronavirusit dhe për të rritur ndjeshëm ambiciet e tyre klimatike gjatë vitit 2021.

Në raport theksohet se rënia e pritshme e emisioneve të dioksid karbonit në vitin 2020 si rezultat i uljes së udhëtimeve, zvogëlimit të aktivitetit industrial dhe prodhimit të energjisë elektrike gjatë pandemisë rezulton në një reduktim të ngrohjes globale prej vetëm 0.01 gradë Celsius deri në vitin 2050.