Kuriozitet

Programi i Kinës për modifikimin e motit do të jetë gati brenda vitit 2025

Kina ka zbuluar, këtë javë, planet e saj për të zgjeruar ndjeshëm programin eksperimental për modifikimin e motit, pasi do ta shtrijë në një sipërfaqe prej 5,5 milionë kilometrash katrorë, mbi 1,5 herë më të madhe se India.

Sipas një deklarate të Këshillit të Shtetit, Kina do të ketë “zhvilluar sistemin e modifikimit të motit” brenda vitit 2025, falë kërkimeve thelbësore dhe teknologjive kyçe, si dhe “përmirësimeve në parandalimin e rreziqeve”.

Sipas deklaratës, programi do të ndihmojë në rimëkëmbjen pas fatkeqësive natyrore, do të rrisë prodhimin bujqësor, do të përmirësojë përgjigjen ndaj zjarreve dhe thatësirave të shkaktuara nga temperaturat e larta.

Prej kohësh, Kina kërkon të kontrollojë motin, për të mbrojtur zonat bujqësore dhe për të siguruar mot të kthjellët për evenimente të ndryshme, si tubimet politike që mbahen në kryeqytetin kinez, ku qielli është gjithmonë i pastër falë modifikimit të motit dhe mbylljes së fabrikave aty pranë.

Kjo arrihet përmes “farëzimit të reve”, një koncept i zbatuar prej dekadash tashmë, që arrihet duke futur sasi të vogla jodur argjendi në retë me shumë lagështirë, që kësisoj kondensohen, rëndohen dhe bien. Në periudhën 2012-2017, Kina ka investuar 1,34 miliardë dollarë në programe të ndryshme të modifikimit të motit. Sipas agjencisë së lajmeve “Xinhua”, modifikimi i motit ka ndihmuar vitin e kaluar në uljen me 70% të dëmtimeve nga breshëri në rajonin perëndimor të vendit, Xinjiang, një zonë kyç për bujqësinë. / A2CNN.