Kuriozitet

Artisti francez “varros” veten në një shkëmb

Kohë gjeologjike - kjo është çfarë po shpreson të përjetojë artisti francez Abraham Poincheval për një javë, gjatë kohës kur do të qëndrojë “i varrosur” brenda një shkëmbi gëlqeror. Siç thotë ai, kësisoj do të zbulojë sesi perspektiva e shtrembëron kohën dhe hapësirën.

Sipas shkrimit të BBC-së, që e transmeton sot “Koha Ditore”, poincheval është duke realizuar eksperimentin e tij në galerinë “Palais de Tokyo” në Paris. Në shkëmbin ku po qëndron ai janë gdhendur disa hapësira në formë të trupit të tij dhe vrima ku kalon ajri. Po ashtu ka edhe një vend për furnizim me ujë, supë dhe mish të thatë. Kabllot do të monitorojnë zemrën e tij duke siguruar një videolidhje në rast emergjence. Gazetarët e kanë shikuar derisa një punonjës aty ka bashkuar të dyja pjesët e shkëmbit në galeri.

“Qëllimi është të ndihet plakja e gurit, brenda shkëmbit”, ka thënë Poincheval për “Quartz Media” gjatë javës kur ka qenë duke u përgatitur për këtë përvojë të tij.

“Këtu është frymëmarrja ime dhe pastaj shkëmbi që jeton, ende i lagësht për shkak se nuk ka kaluar kohë e gjatë qysh kur është nxjerrë nga sipërfaqja e gurtë. Kështu që, ekziston rrjedhshmëria që shkon e vjen nëpërmjet meje dhe gurit”, ka thënë ai. Siç thotë ai, një prej sfidave më të mëdha gjatë kësaj kohe do të jetë krejtësisht psikologjike: të vazhdojë ta mbajë zotërimin mbi realitetin.

Poincheval tashmë njihet për mënyrat mjeshtërore të shfrytëzimit të trupit të tij – shpeshherë brenda hapësirave të mbyllura. Ai kishte kaluar 13 ditë brenda një ariu. Nëse del mirë nga shkëmbi, Poincheval planifikon të qëndrojë i ulur mbi dhjetëra vezë për tri apo katër javë derisa ato të çelin zogj. Dhe siç ka thënë ai, ambicia e tij e fundit është “të ecën mbi re”.

“Kam punuar pesë vite për këtë projekt por ende nuk është mjaftueshëm”.