Kuriozitet

Postieri “Rambo”, njeriu që lidh fshatin e braktisur me botën

Për shumicën e automjeteve, rruga me lloç do të ishte e pakalueshme.

Por, Sergey Kondakov nuk e ka ndërmend që shkaku i lloçit t’i anulojë porositë e kërkuara, transmeton KOHA.

Postieri rus këtë rrugë e merr çdo muaj.

Stacioni i fundit është fshati Krasny Yar, një prej fshatrave më të largëta dhe më të vështira për t’u arritur nga shërbimi postar i Rusisë.

Rruga që merr Kondakov kalon nëpër pyll dhe dy lumenj. Krejt ngasja është në dy vija plot baltë dhe terren të vështirë.

Me qëllim që t’i furnizojë fshatarët me gjërat e nevojshme, postieri ka bërë për vete një veturë që pa pikë problemi kalon këto rrugë të vështira.

Ajo mund të bartë deri në 300 kilogramë, ndërkaq ngasësi ndalet në një dyqan të tjetrit fshat për t’i blerë gjërat e nevojshme.

“E kam blerë këtë automjet vetëm për këto fshatra. Nuk mund të vij në këmbë. Me këtë automjet nuk më ndal asgjë. Si mund të kem frikë nga pylli kur jam rritur në të. Pylli është shtëpia ime e dytë”, ka thënë Yar.

Është rrugëtim gjashtëorësh për postierin.

Dyzet vjet më parë, Krasny Yar ishte fshat i madh me mijëra banorë. Madje, kishte edhe një aeroport të vogël.

Por, industria e drurit këtu ka marrë fund. Tani fshati ka vetëm shtatë banorë.

Çdo muaj, Kondakov është fytyrë e mirëpritur në fshat. Këtyre banorëve u sjell gjithçka që u duhet për të mbijetuar deri në vizitën e tij të ardhshme.

Punën e postierit e bën tash e tre vjet, mirëpo përkushtimi i tij për t’i ndihmuar fshatarët e largët i ka shtyrë ata që t’ia vënë nofkën “Postieri Rambo”.

Ai shpërndan pensionet dhe pranon pagesat për energjinë elektrike.

Me përfundimin e verës, orët e dritës janë të shkurtra dhe atij do t’i duhet të kthehet në shtëpi në errësirë të plotë.

Por, e di se për fshatarët është lidhja e vetme me civilizimin.