Kuriozitet

Grenlanda humbi një milion tonë akull për minutë në vitin 2019

Grenlanda ka humbur 1 milion tonë akull për minutë në vitin 2019, e cila shënon sasi rekorde të shkrirjes së akullit.

Pas dy vjetësh kur shkrirja e akullit gjatë verës ishte minimale, verën e shkuar ka kaluar të gjitha rekordet me 586 milionë ton akull të shkrirë, sipas një matjeje të satelitit, raportohet të enjten. Kjo do të thotë se janë më shumë se 532 trilion litra të ujit nga shkrirja e akullit, transmeton KOHA.

Kjo shifër shënon më shumë se humbjet mesatare prej 259 milionë tonë që nga viti 2003 dhe kalon rekordin e dikurshëm prej 511 milionë tonësh në vitin 2012, thotë një studim i ‘Nature Communications Earth & Enviroment’.

“Jo vetëm që shtresa të akullit në Grenlandë po shkrihen, por po shkrihet çdo herë e më shpejt”, ka thënë autori i studimit, Ingo Sasgen, shkruan AP.

Studiuesit kanë thënë se niveli i humbjes së vitit 2019 ka qenë tronditës dhe me shumë të ngjarë më i madhi për shekuj apo edhe për mijëvjeçarë.

Shkak të shkrirjes, studiuesit shohin periudhat e gjata me mot të nxehtë mbi Grenlandë dhe reshjet e ulëta të dëborës gjatë vitit 2019.