Kuriozitet

Materializohen shpikjet e Da Vincit

Skicat e “njeriut fluturues” dhe “urës portabël” të Leonardo da Vincit do të materializohen në një ekspozitë, që hapet të enjten në qytetin belg, Bryzh.

Edhe pse skicat e piktorit të famshëm janë kthyer më herët në realitet trepërmasor (3D), organizatorët thonë se kjo është ekspozita më e madhe e këtij lloji. Për të parën herë, 100 makina të shpikura nga mjeshtri italian i epokës së Rilindjes janë realizuar duke përdorur skicat që ai i ka krijuar vet. Disa dizajne 500-vjeçare si aeroplani njerëzor i ngjashëm me zogun janë krijuar në përmasa reale, të tjerët janë modele në shkallë më të vogël, të bëra me dru, tela apo materiale të tjera të kohës, shkruan TCH.

Skicat e Leonardo da Vincit kanë qenë të shumta dhe avantgarde. Edhe pse ai nuk ishte i pari që kishte skicuar disa prej tyre, ia doli të bënte përmirësime domethënëse. Armatimet ishin një temë e zakonshme e punës së tij, me një numër mekanizmash të parashikuara, ndër të cilët një helikopter, një avion, nëndetëse dhe ura, para se këto të fundit të bëheshin të zakonshme.

Që nga fillimi e deri në fund të shekullit të XV, ai zhvilloi koncepte të avancuara në inxhinierinë civile, hidrodinamikën, optikën dhe anatominë. Vizitorët në ekspozitë do të jenë në gjendje të aktivizojnë disa nga mekanizmat dhe mundet edhe të tentojnë zgjidhjen e shkrimeve të koduara të Da Vincit, ndërkohë që mund të shijojnë një kopje të Mona Lisës, si dhe punimet artistike të bashkëkohësve të tij, si Michelangelo dhe Raffaello.