Kuriozitet

Parku kombëtar në Hawai dikur zonë e izoluar karantine

Descriptive Text

Në Hawai, një vend unik dhe historik na tregon për paragjykimin dhe rimëkëmbjen pas sëmundjes.

Gjersa shumë parqe kombëtare përreth botes janë mbyllur për të parandaluar përhapjen e Covid-19, një park kombëtar në Hawai duhet të mbetet i hapur, për banorë e jo vizitorë.

Parku kombëtar historik Kalaupapa gjendet në një gadishull të fshehur, të ndarë nga pjesa tjetër e ishullit Molokai nga shkëmbinj të mëdhenj 700 metra.

Kalaupapa është shtëpi e disa dhjetëra ish-pacientëve të sëmundjes Hansen apo lebrës, banorët e vetëm të mbetur në mes të mijëra njerëzve të prekur nga lebra të cilit ishin shpërngulur në këtë vend për shkak të ligjit të karantinës, apo “Ligjit për Ndalimin e Përhapjes së Lebrës”.

Nuk ka rrugë që e lidhë këtë gadishull me pjesën tjetër të Molokait. Qasja bëhet me aeroplanë, anije apo mushka. Nuk ka zjarrfikës, polici, spitale e as ventilatorë në Kalaupapa. Kushdo që ka nevojë për përkujdesje mjekësore dërgohet me aeroplan në ishullin fqinj. Nëse sëmuren natën, banorët thonë se janë në duar të fqinjëve deri sa të agon mëngjesi, ngase aeroplanët fluturojnë vetëm ditën.

Me burime të kufizuara mjekësore dhe me banorë kryesisht të moshuar dhe në rrezik të lartë nga Covid-19, ky vend që dikur mbante njerëzit e sëmurë të izoluar brenda, tani po izolohet që të mban sëmundjen jashtë, transmeton KOHA.

Sëmundja Hansen, apo e njohur si lebra është sëmundje kronike infektuese e shkaktuar nga një bakter, dhe përhapet me kontakt të afërt me personin e infektuar. Nëse nuk trajtohet, mund të shkaktojë dëmtime permanente të nervave, lëkurës, syve dhe traktit të frymëmarrjes.

Edhe pse sot kjo sëmundje ka trajtim, nuk ka pasur shërim për te kur së pari arriti në brigjet e Hawait, ndërsa stigma që kjo sëmundje sjellë njihet përgjatë tërë historisë. Pothuajse 95 për qind e popullatës botërore është imune ndaj kësaj baktere, por viruset, bakteret dhe sëmundjet që u sollën në këto ishuj nga të huajt patën ndikim shkatërrues në popullatën vendase të Hawait, të cilët me vite kishin qenë të izoluar ndaj këtyre sëmundjeve para kontaktit me evropianët.

Nga viti 1865 deri në vitin 1969, afro 8,000 njerëz nga Hawai për të cilët u dyshua se e kishin lebrën u dërguan me dhunë në gadishullin Kalaupapa dhe u lan në mëshirë të njëri-tjetrit. Pothuajse të gjithë ishin vendas të Hawait. Shumica ishin ndarë nga familjet në moshë të re, dhe pacienti më i ri në Kaluapapa kishte qenë vetëm katër vjeç.

Për shumë vite nuk ka pasur aty spitale apo mjekë. Pacientët kujdeseshin për njëri-tjetrin, dhe ishin populli kama’aina, vendasit hawaianas të cilët po jetonin në këtë gadishull me qindra vite para se të arrinin pacientët, ata të cilët iu ndihmuan të sëmurëve.

Ilaçi për lebrën arriti në Hawai në vitin 1949, por ligji i karantinës u hoq vetëm në vitin 1969, më shumë se 100 vite pas vendosjes, dhe ish-pacientëve iu lejua të ikin nga gadishulli. Por nuk ikën që të gjithë. Shumica prej tyre e kishin kaluar tërë jetën aty, dhe Kalaupapa tashmë ishte shtëpia e tyre.

Numri i turistëve në shtetin e Hawait ka rënë shumë, nga 30,000 në ditë në 100 ditëve të fundit. Kërkohet karantinë 14 ditësh për vizitorët. Por ende ka fluturime për këtë shtet dhe disa vizitorë janë duke e shpërfillur karantinën, dhe me këtë po rrezikojnë jetët e njerëzve vendas. Por Kalaupapa nuk po rrezikon. Departamenti i shtetit i ka ndaluar vizitat në këtë park. Andaj Kalaupapa është i mbyllur deri në kohëra më të mira.

Pas viteve të tëra të kushteve të vështira, rregullave të ashpra, dhe izolimit ekstrem para se të hiqej ligji i karantinës në këtë park kombëtar, ish-pacientët nuk dëshirojnë t’i kthehen jetës në karantinë, këtë herë për shkak Covid-19.

Ndërsa banorët shpresojnë që pjesa tjetër e botës të marrë shembull nga fuqia e tyre shpirtërore për të tejkaluar sëmundjen, ata kanë disa porosi për neve: jepni ndihmë atyre që kanë nevojë, kini mirëkuptim e jo paragjykim ndaj të sëmurëve me Covid-19, dhe kini kujdes se si vendimet e juaja kanë ndikim tek të tjerët, shkruan National Geographic.