Kuriozitet

Qeni me sytë nga shkallët pret ende ish-trajnerin e boksit shqiptar që ndërroi jetë nga koronavirusi

Skënder Kurti, ish-traineri i kombëtares së boksit, ndërroi jetë në fillim të prillit në spitalin Infektiv në Tiranë si pasojë e koronavirusit. Ai qëndroi rreth 12 ditë në gjendje të rëndë dhe më pas nuk mundi të fitojë betejën me këtë virus.

Për 30 vite fillimisht si boksier e më pas si trajner boksi, Skënder Kurti dha një kontribut të jashtëzakonshëm.

Së fundmi, kolegu i tij Murat Basha bëri një postim në “Facebook”, ku tregon se një qen me emrin Kuqi, i cili ushqehej gjithmonë nga Skënderi në lagje, ende i mban sytë nga shkallët ku dilte ish-trajneri, shkruan oranews.

Skena i kujton filmin “Haçiko”, ku qeni, edhe pas vdekjes së të zotit, qëndroi me vite ta priste tek stacioni i trenit. Filmi është bazuar në një histori të vërtetë.

“Kuqi,Haçiko ynë. Kuqi është qeni i Ner Kurtit. E gjeti të vogël fare,nuk kishte vend në apartament, por e mbante dhe ushqente,aty në lagje. I fortë, luftëtar, inteligjent, besnik po e po,shpejt Kuqi u bë i dashur me të gjithë, që me dëshirë i jepnin diçka për ta ushqyer.

Gjithë kohës ndejti mbrapa spitalit ke Neri. Sapo e pashë përsëri. Rri dhe pret……me sytë ngulur nga shkalla e Ner Kurtit. Jo vetëm Haçiko është legjendë, por edhe Kuqi..”