Kuriozitet

"Fantazmat” po i detyrojnë indonezianët të qëndrojnë në shtëpi gjatë pandemisë

Descriptive Text

Fshati Kepuh në Indonezi është “pushtuar” nga fantazmat gjatë kohës së pandemisë. Fjala është për figurat misterioze të bardha, që u shfaqen papritur kalimtarëve.

Ky fshat në ishullin indonezian të Javës është duke përdorur një grup “fantazmash” për të patrulluar nëpër rrugë, teksa shpreson se kjo bestytni e kahmotshme do t’i detyrojë njerëzit që të qëndrojnë brenda shtëpive të tyre gjatë pandemisë së koronavirusit, raporton Reuters, transmeton KOHA.

“Donim të ishim ndryshe dhe të kishim një mjet sprapsës, pasi që ‘pocong’-ët janë të frikshëm”, thotë Anjar Pancaningtyas, kreu i grupit rinor të fshatit, që u koordinua me policinë rreth kësaj nisme jokonvencionale, për të promovuar distancimin social gjatë përhapjes së koronavirusit.

Të njohur si “pocong”, këto figura janë zakonisht të mbështjellura në çarçafë të bardhë. Në folklorin indonezian, ato simbolizojnë shpirtat e ngujuar të të vdekurve.

Por, në këtë fshat indonezian, këto figura patën efekt të kundërt, në fillim të muajit. Në vend se njerëzit të frikësoheshin dhe të qëndronin brenda, shumica dolën jashtë shtëpive, për t’i parë ato.

Organizatorët që nga ajo kohë kanë ndryshuar strategjinë, duke ndërmarrë patrullime befasuese, me vullnetarët e maskuar si fantazma, që u shfaqen beftaz kalimtarëve.