Kuriozitet

Astronomët thonë se Toka ka një mini-Hënë

Foto: CNET

Besohet se kemi një fqinj të ri në hapësirë, së paku tani për tani. Catalina Sky Survey, një grup astronomësh të financuar nga NASA, kanë vërejtur një asteroid të kapur në gravitetin e Tokës por Qendra për Studime të Objekteve Afër Tokës theksoi se është duke dalë nga orbita e planetit tonë.

“Toka ka një objekt të ri të kapur përkohësisht, ose një mini-Hënë të quajtur 2020 CD3. Në natën e 15 shkurtit, kolegu im i grupit Catalina Sky Survey, Teddy Pruyne, dhe unë kemi gjetur një objekt”, ka shkruar në Twitter astronomi Kacper Wierzchos, shkruan cnet.

 

 

Wierzchos ka kalkuluar se asteroidi është me diametër mes 1.9 dhe 3.5 metra, transmeton Koha.net. Qendra e Planetëve Minorë e zbuloi objektin afër Tokës, i cili me sa duket se ka hyrë në orbitën e planetit tonë rreth tre vjet më parë.

Në një email që konfirmon zbulimin e këtij grupi, shkencëtari i CNEOS-it Shantanu Naidu tha se 2020 CD3 më së shumti i është afruar Tokës më 13 shkurt dhe është duke dalë nga ndikimi gravitacional i planetit tonë.

Ky është asteroidi i dytë që dihet se ka hyrë në orbitën e Tokës. Asteroidi i fundit, 2006 RH120, po ashtu është zbuluar nga Catalina Sky Survey dhe ka qëndruar në orbitën e Tokës për 18 muaj gjatë viteve 2006-2007.