Kuriozitet

Truproja e ish-kryeministrit britanik ngjall panik, harroi armën në tualetin e aeroplanit

Një truproje e ish-kryeministrit britanik, David Cameron, është duke u hetuar pasi raportohet se kishte harruar armën e tij në një tualet të një aeroplani.

Një “pasagjer i tmerruar” kishte gjetur armën dhe ia kishte dhënë stafit të “British Airways” në fluturimin mes New Yorkut e Londrës të hënën, sipas “DailyMail”.

Si një ish-kryeministër, Cameron ka të drejtë të vazhdojë mbrojtjen e afërt të ofruar nga Policia Metropolitane.

Sipas një njoftimi, zyrtari i përfshirë në rast tashmë është përjashtuar nga detyra, transmeton Koha.net.

Ekip i Cameronit ka refuzuar të komentojë çështjen.

Arma, që besohet të jetë një pistoletë 9mm Glock 17, thuhet të ishte lënë në tualet, nga një prej anëtarëve të njësisë speciale për mbrojtje të afërt.

Pasaporta e Cameronit dhe ajo e zyrtarit policor ishin gjetur bashkë me armën, ka raportuar “The Sun”.

“Jemi në dijeni për incidentin në një fluturim në Britani të Madhe më 3 shkurt, dhe zyrtari i përfshirë në rast është përjashtuar nga detyrat. Po e marrim këtë çështje shumë seriozisht dhe një hetim i brendshëm është duke ndodhur”, ka thënë Policia.

Cameron ishte kryeministër për gjashtë vjet deri më 2016, kur u largua pas rezultatit në referendumin për largim nga Bashkimi Evropian.