Futbollisti i Sierra Leones beson se pësoi lëndim nga “magjia e zezë” Foto: BBC

Futbollisti i Sierra Leones beson se pësoi lëndim nga “magjia e zezë”

21 November 2019 18:18

Sulmuesi i Sierra-Leones, Mohamed Buya Turay, ka thënë se është duke u rikuperuar nga një lëndim në këmbë që beson se e ka marrë për shkak të “jujus” ose magjisë së zezë.

24-vjeçari mungoi në ndeshjen e fundit të shtetit të tij në fundjavë në Benin në kualifikimet për Kupën e Afrikës, pas një lëndimi që e pësoi katër ditë më herët në ndeshjen me Lesoton.

“Gati jam rikuperuar tërësisht nga lëndimi”, ka thënë për BBC, Buya që luan në Suedi me Djurgardenin dhe muajin e shkuar fitoi çmimin e top-golashënuesit. “S’kam lëndim të gishtit sepse kur luajta ndaj Lesotos askush nuk më shkeli apo goditi. Por ndjeva dhimbje në gisht kur u ktheva në hotel ku po rrinim me ekipin. Informova fizioterapeutin që nuk mund të dinte se çka ka ndodhur, dhe dhimbja vetëm rëndohej në autobus kur shkonim për ushtrime”.

“Dhimbja u përkeqësua kur arritëm në ushtrime dhe u zgjerua në të gjithë këmbën dhe më pas vendosa të thirrja familjen që më dërgoi te një mjeke popullore. Mjekja më tha se dhimbja më ka ardhur për shkak se kam shkelur në një objekt shpirtëror në kamp, të vënë aty nga një person që donte që të më shkatërronte karrierën time. Ajo më tej më tha se nëse do të shkoja në spital për trajtim ose të përdorja ilaçe për t’u shëruar kjo do të më shkatërronte karrierën”, ka deklaruar më tej ai.

Më herët në rrjete sociale ai ka thënë se personi përgjegjës për këtë ishte xheloz për shkak të Këpucës së Artë që ai ka fituar me ekipin e tij në Suedi.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme