Xhoni, Vlashi dhe Muli, treshja që i jep jetë Parkut të Karavastasë

Xhoni, Vlashi dhe Muli, treshja që i jep jetë Parkut të Karavastasë

12 November 2019 13:23

Pamje të rralla vijnë nga Parku i Karavastasë.

Bëhet fjalë për një marrëdhënie të veçantë mes pelikanit të njohur, “Xhonit”, gomarit të pagëzuar “Muli”, si dhe pelikanit tjetër, “Vlashit”.

Në videot e publikuar nga Ardian Koçi, drejtori i Parkut të Karavastasë, duken pelikani ‘Xhoni’ dhe pelikani ‘Vlashi’, që i qëndrojnë pranë gomarit të sëmurë ‘Muli’.

Xhoni, Vlashi dhe Muli, kanë të tre histori të veçanta. Në vitin 2016, rojet e Parkut e gjetën Xhonin të plagosur, ku edhe pas kurimit, ai nuk mundit që të rifitojë aftësinë për të fluturuar.

Edhe pelikani Vlashi është shpëtuar nga rojet e Parkut të Karavastasë, ku pas shërimit ai arriti të fluturojë, e si mirënjohje, pelikani qëndron herë pas herë në këtë park.

Një histori krejt e veçantë është edhe për gomarin, Mulin, i cili u është dhuruar rojeve të parkut nga një 80-vjeçar, pasi nuk kishte më mundësi që të kujdesej për të.

Por, ajo që vihet re, përveç pasionit të rojeve të parkut për t’u përkujdesur për to, është edhe marrëdhënie mes tyre, ku herë pas herë qëndrojnë bashkë, sidomos në ditët kur Muli nuk ndjehet mirë me shëndet.

Tre kafshët në oborrin e Drejtorisë së Parkut të Karavastasë janë bërë një stacion i jashtëzakonshëm ndalimi për fëmijë të moshave të ndryshme, por edhe për të rritur të dashuruar pas kafshëve dhe natyrës/Shqiptarja.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme