Kuriozitet

Një perlë 8,000 vjeçare prezantohet në Luvrin e Abu Dhabit

Një perlë 8, 000 vjeçare, prezantuar si më e lashta në botë, do të ekspozohet për herë të parë për publikun duke nisur nga 30 tetori në Luvrin e Abu Dhabit, njoftoi dje departamenti i Kulturës dhe Turizmit të Emiratit.

Quajtur “perla e Abu Dhabit” dhe zbuluar nga arkeologët në ishullin e Marawah, në brigjet e kryeqytetit të Emirateve të Bashkuara Arabe, kjo bizhuteri i përket Muzeut Kombëtar Zayed.

“Ajo do të prezantohet në Luvrin e Abu Dhabit gjatë një ekspozite të titulluar “10 000 vitet e luksit” që do të zhvillohet nga 30 tetori deri më 18 nëntor”, sipas një komunikate të departamentit të Kulturës dhe Turizmit.

Analizat e karbonit-14 kanë zbuluar se shtresat shkëmbore nga ku vjen perla datojnë 5 600-5 800 vjet para erës sonë, gjatë periudhës neolitike.

“Zbulimi i perlës më të lashtë në botë në Abu Dhabi tregon qartë se një pjesë e madhe e historisë tonë të fundit ekonomike dhe kulturore i ka rrënjët e thella që datojnë që prej fillimit të prehistorisë”, konfirmoi Mohammed Khalifa al-Moubarak, kreu i departamentit të Kulturës dhe Turizmit në një komunikatë./atsh