Kuriozitet

Tajlanda shqyrton zhvendosjen e kryeqytetit

Foto: AFP

Tajlanda mund të bëhet vendi i radhës në Azinë juglindore që zhvendos kryeqytetin pasi kryeministri i atjeshëm, Prayut Chan-o-cha, la të kuptohet se një hap i tillë mund të jetë “i mundshëm” me qeverinë e tij.

Duke marrë shembull Mianmarin fqinj dhe plane të ngjashme që po diskutohen në Indonezi, kryeministri tajlandez tha se zhvendosja e kryeqytetit mund të ndihmojë Bangkokun t’i tejkalojë sfidat e mëdha urbane, raporton “The Guardian”.

Sikurse Xhakarta, edhe Bangkoku shoqërohet nga mbipopullimi, ndotja, ngritja e niveleve të detit dhe bllokimet e mëdha të trafikut.

Gjatë një adresimi në konferencën “Ta lidhim Tajlandën me Botën” më 18 shtator, gjenerali i pensionuar ushtarak dha dy opsione për një hap potencial. “I pari është të gjejmë një qytet që as nuk është shumë i largët e as shumë i shtrenjtë për t’u zhvendosur”, tha ai. “I dyti është kalojmë në pjesën e jashtme të Bangkokut për të ulur mbipopullimin”, transmeton Koha.net.

Kryeministri tajlandez tha se zhvendosja e qeverisë në periferi të Bangkokut mund të ndihmojë lehtësimin e trafikut dhe të ul nevojën për të qarkulluar nëpër qytet.

Duhen hulumtime dhe studime gjithëpërfshirëse dhe ndikimet sociale e ekonomike për një hap të tillë, shtoi ai, por theksoi se një veprim i tillë mund të jetë “i mundshëm” gjatë qeverisjes së tij.

Ky sugjerim nga ana e tij vjen pak javë pasi presidenti indonezian Joko Widodo njoftoi se kryeqyteti administrativ do të zhvendosej nga Xhakarta e ngujuar në Kilimanxharon Lindore, apo Borneon indoneziane.

Sipas një studimi të vitit 2018 mbi trafikun më të keq në botë, Bangkoku ishte renditur i teti, një vend prapa Xhakartës, ndërsa Mumbai doli i pari.