Kuriozitet

Princesha saudite dënohet për rrahjen dhe kidnapimin e një hidrauliku

Një princeshë saudite është dënuar me dhjetë muaj burgim me kusht pasi kishte rrahur dhe kidnapuar një hidraulik në apartamentin e saj luksoz në Paris.

Hassa bint Salman është motra 43-vjeçare e princit Mohammed bin Salman, dhe e bija e Mbretit Salman.

Ajo akuzohej se i kishte thënë truprojës së vet ta rrihte një hidraulik që raportohet se kishte shkrepur fotografi të saj brenda shtëpisë. Hidrauliku Ahraf Eid kishte thënë se truproja e kishte lidhur dhe e kishte detyruar t’ia puthte këmbët princeshës.

Të enjten, një gjykatë në Francë e shpalli fajtore princeshën për bashkëpunim për dhunën dhe rrëmbimin, raporton BBC, transmeton Koha.net.

Princesha u detyrua të paguajë gjobën 10 mijë euro. Ajo kishte mohuar akuzat ndaj saj. Truproja e saj, Rani Saidi, është dënuar me burgim me kusht prej tetë muajsh dhe 5000 euro gjobë.

Rasti kishte ndodhur në shtator të 2016-s, kur Eid ishte ftuar në katin e pestë të ndërtesës në Paris për të rregulluar një lavaman të dëmtuar. Egjiptiani tha se kishte fotografuar banjën në të cilën i duhej të punonte. Por princesha e akuzonte se ishte fotografuar përmes reflektimit të pasqyrës dhe për këtë e kishte thirrur truprojën duke e detyruar punëtorin t’ia puthte këmbët dhe duke e mbajtur të lidhur për disa orë.