Kuriozitet

Qindra pjesëtarë të komunitetit LGBTI deportohen gabimisht nga Britania në Shqipëri

Qindra azilkërkues gej dhe lesbike, viktima të trafikimit dhe të mbijetuar të dhunës janë deportuar gabimisht në Shqipëri pasi gjykata dhe Home Office në Britani të Madhe është mbështetur në prova jo korrekte, raporton The Guardian.

Në tetor të vitit 2011, gjykata e apelit kishte marrë vendim se gjykatat dhe Home Office nuk mund të mbështeteshin në provat që janë përdorur më herët, të cilat theksonin se ishte e sigurt që këto grupe të ktheheshin në Shqipëri, transmeton Koha.net. Por, Home Office dhe gjykatat vazhduan të përdorin të njëjtat prova për pesë vjet.

The Guardian raporton se ende nuk është e qartë përse Home Office ose gjykatat injoruan urdhrin e Gjykatës së Apelit në vitin 2011.

“Është alarmuese që Home Office ka marrë vendime të rëndësishme për jetët e azilkërkuesve të bazuara në informata të gabuara – vendimet e gabuara do të thonë për rikthimin e këtyre njerëzve në situata të rrezikshme dhe është e rëndësishme që Home Office të aplikojë ligjin saktë dhe të bëjë gjërat me rregull që në fillim”, ka thënë një zëdhënës i Shoqatës për Azil në Londër.

Në këtë rast po ekzaminoheshin problemet në lidhje me kërkesën për azil të bëra në bazë të seksualitetit nga një gej 21-vjeçar shqiptar, emri i të cilit nuk është bërë i ditur për shkak të procesit gjyqësor. Kërkesa e tij ishte refuzuar nga gjykatësit e gjykatës së apelit.

Gjykata për këtë rast analizoi provat e një eksperti të tribunalit të imigrimit, të cilat Home Office duhet t’i analizojë para se të marrë vendimin nëse është e sigurt ose jo kthimi i azilkërkuesve në shtetet e tyre, transmeton Koha.net.

Si rezultat i kësaj, shumë shqiptarë, viktima të trafikimit dhe dhunës që kanë bërë kërkesa për azil në bazë të seksualitetit mund të nisin raste të reja gjyqësore nëse ende janë në Britani të Madhe dhe nëse rastet e tyre janë refuzuar në bazë të provave të ekspertëve. Ata që janë depërtuar në Shqipëri janë keqtrajtuar në vendin e tyre.

Edhe pse 21-vjeçari shqiptar nuk e fitoi rastin, ai ka mirëpritur lajmin se Home Office gabimisht injoroi Gjykatën e Apelit për këto pesë vjet dhe tani shpreson që rastin ta dërgojë në Gjykatën Supreme.

“Kur nisa rastin tim nuk kisha avokat dhe nuk kuptoja asgjë për këtë proces. Ishte vetëvrasje për mua kur u refuzua rasti im dhe besoja se jeta ime do të jetë në rrezik nëse do të kthehesha në Shqipëri. Kur mësova për Home Office më dha shpresë për rastin tim dhe shpresoj të dërgoj rastin në Gjykatën Supreme”.

Avokatja e tij, Vanessa Delgado ka thënë se shumë azilkërkues shqiptarë janë lënë anash që prej vitit 2011 kur Home Office veproi gabimisht.

Shqipëria është njëra prej 20 vendeve me më së shumti azilkërkues në Britani të Madhe. Shumë prej tyre janë ndikuar nga rezultatet e padrejta të Home Office dhe gjykatave tjera.