Lagjes me “drita të kuqe” të Amsterdamit, po i vjen fundi Foto: Depositphotos

Lagjes me “drita të kuqe” të Amsterdamit, po i vjen fundi

07 July 2019 10:16

Duhet të vinte një kryebashkiake, e para në historinë e Amsterdamit, që të vendoste me të vërtetë dorë në lagjen me ‘drita të kuqe’. Propozimi për mbylljen e lagjes, ose për ndryshimin e saj, është i hershëm, por askush nuk kishte guxuar.

Por, kjo vetëm deri më sot, kur kryebashkiakja e gjelbër, Femke Halsema, në krye të qytetit që nga viti i shkuar, propozon mbylljen e dritareve të shtëpive publike; jo më vajza në vitrina, por publicitet në internet dhe dekor i garantuar.

Kryebashkiakja ka thënë se qyteti ka krijuar një “përbindësh me shumë koka” në distriktin Wallen duke mos i luftuar problemet në rritje të shkaktuara nga ndejat e zhurmshme e me alkool dhe nga grupet e organizuara të turistëve.

“Dëmi nuk po shkaktohet nga vetë punonjëset e seksit. Ato janë bërë atraksion turistik që tërheq numra të mëdhenj njerëzish që vijnë këtu për të shkrepur ‘selfie’”, ka thënë ajo për “Nieuwsuur”.

“Është poshtëruese për njerëzit që punojnë atje dhe kjo s’mund të mbështetet”, transmeton Koha.net.

“Nuk është qëllimi im të largoj prostitucionin nga qyteti”, thotë Halsema. “Jam shumë pragmatiste për këtë. Prostitucioni është pjesë e Amsterdamit: ka treg për të, ka kërkesë, dhe për këtë arsye do ta mbajmë”.

Këtë vit, Amsterdami ndaloi të gjitha turnetë e organizuara në Wallen, vendim i cili nis së zbatuari nga janari i vitit të ardhshëm, pasi që ombudspersoni i qytetit e përshkroi zonën si një “xhungël urbane”.

Halsema propozoi katër opsione për të luftuar problemin. I pari do të ishte mbyllja e dritareve në shtëpitë e licencuara publike dhe t’i bëjë ato sa më pak tërheqëse për turistët, ndonëse një gjë e tillë do të kufizonte reklamimin e shërbimeve të punonjëseve të seksit.

Opsioni i dytë do të ishte mbyllja e të gjitha shtëpive publike në Wallen dhe distrikti me drita të kuqe të zhvendoset nga qendra e qytetit. Megjithatë, punonjëset e seksit veçse kanë shfaqur brengën e tyre për këtë plan sepse do të ndikonte në sigurinë e tyre.

Dhe opsioni tjetër është që disa prej shtëpive publike me dritare të zhvendosen në mënyrë që tregtia e seksit të mos përqendrohet vetëm në një pjesë të qytetit, ose numri i tyre të rritet në mënyrë që të ulet presioni ndaj punonjëseve individuale të seksit.

Halsema tha se do të nis një dialog për problemin e turizmit i cili u diskutua brenda partisë dhe është lënë i hapur për sugjerime tjera. Ajo ka emëruar një emisar që të shkojë në zonën e “dritave të kuqe” dhe të marrë qëndrimet e punëtorëve të seksit.

“Pothuajse të gjitha gratë në Wallen janë të huaja dhe rrallë dëgjohet zëri i tyre”, thotë kryebashkiakja e Amsterdamit. “Nuk po flas në emër të partisë ‘GroenLinks’, por si kryebashkiake e Amsterdamit. Nëse njerëzit po trafikohen, rekrutohen apo po shfrytëzohen, të gjithë holandezët duhet të brengosën për këtë”, deklaroi Halsema.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme