Kuriozitet

Kali i qyqes në stacionin “Sofra e Mbretëreshave”

Tiranë, 10 qershor – Administrata Rajonale e Zonave të Mbrojtura Gjirokastër që prej vitit 2016 është angazhuar për ruajtjen dhe rimëkëmbjen e kalit të qyqes në Shqipëri. Kali i qyqes përfaqëson jo vetëm simbolin e biodiversitetit të këtij qarku, por edhe një prej llojeve më të rralla në të gjithë vendin.

Nga 9 prej territoreve të zëna të këtij lloji në Shqipëri, 7 gjenden nën kufijtë administrativë të qarkut Gjirokastër dhe disa territore edhe në kufijtë e zonave të mbrojtura sikurse është rasti i Bredhit të Hotovës dhe ai i Kanioneve të Nivicës.

Në vitin 2016 u ndërtua stacioni i parë i ushqimit suplementar për shkabat, me qëllim sigurimin e ushqimit shtesë dhe uljen e rasteve të mundshme të helmimit. AdZM Gjirokastër, që prej vitit 2016 po kujdeset për mirëmbajtjen dhe furnizimin e këtij stacioni i cili ka filluar tashmë të vizitohet nga kali i qyqes.

Ushqimi plotësues është një masë që po zbatohet në të gjitha vendet e Gadishullit të Ballkanit ku ende folezon kali i qyqes për të ndihmuar rimëkëmbjen e këtij lloji tejet të rrallë që numëron vetëm 51 territore të zëna dhe 45 çifte në të gjithë Ballkanin.

Përdorimi i kësaj mase, përveç se siguron ushqim për këtë lloj, ul edhe rrezikun që i kanoset nga kurthet e helmatisura. Stacioni që njihet ndryshe si “Sofra e Mbretëreshave”, marrë në konsideratë rëndësinë ekologjike të kalit të qyqes, u vizitua për herë të parë në mesditën e datës 2 qershor 2019 dhe vazhdimisht që prej asaj dite ky çift ushqehet aty.

Ky stacion u ndërtua në kuadër të projektit “Toka e Kështjellave dhe Shqiponjave” dhe që prej asaj kohe po funksion falë mbështetjes domethënëse të “Projektit të Ri LIFE për Kalin e Qyqes” dhe Administratës së Zonave të Mbrojtura të Qarkut Gjirokastër/ATSH.

{gallery}