Kuriozitet

Ministrja për dialog hap kampionatin botëror të fluturimeve të lira në Vlorë

Ministrja për dialog Edita Tahiri ka marrë pjesë në hapjen solemne të kampionatit botëror të fluturimeve të lira në Vlorë, “Albanian Open”, raporton Koha.net.
Tahiri në fjalimin e saj mbajtjen e këtij kampionati për fluturime të lira e ka quajtur si ngjarjen e dytë më të rëndësishme në histori të Vlorës, pas asaj të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

“Vlora jonë sot po shënon një histori të dytë, me këtë ngjarje të rëndësishme botërore sportive që po mbahet në Vlorë. Vlora është qyteti ku u shpallë pavarësia e Shqipërisë më 1912, dhe sot Vlora u bë qytet botëror ku po mbahet kampionati i nëntë i fluturimeve të lira me pjesëmarrjen e garuesve nga e gjithë bota”, ka thënë Tahiri.

“Ju përshëndes të gjithëve dhe ju uroj gara sa më të suksesshme të gjithëve. Falënderoj yllin tonë të fluturimeve të lira Alket Islamin, i cili me përkushtimin e tij shembullor arriti ta bëjë Shqipërinë qendër të një kampionati botëror, të këtij evenimenti sportiv të fushës së aeronautikës”, ka shtuar ajo.

“Ju garuesit e fluturimeve të lira jeni sfidues të lartësive, ju bartni mesazhin se shpirti i njeriut është i lirë dhe nuk njeh kufizime. Sot në këtë takim së bashku po japim mesazhin se “bota jemi ne” dhe se nuk e pëlqejmë një botë ku ka ne dhe të tjerë, sepse paqen e duam për të gjithë. Ju që garoni dhe komunikoni mes vete në lartësitë qiellore jeni të veçantë, na pasuroni frymëzimin dhe energjitë tona. Për dallim nga ju, ne politikanët synojmë lartësitë, por garat dhe komunikimet i bëjmë në tokë dhe në tavolina. Suksese të gjithëve, ju uroj gara sa më cilësore”, tha ministrja Tahiri.
Në këtë kampionat janë pjesëmarrës mbi 150 parashutistë nga rreth 28 vende të ndryshme të botës në mesin e të cilëve Kosova dhe Shqipëria. Aeronautika botërore ka zgjedhur Vlorën për këtë kampionat, që dëshmon kapacitetet e Shqipërisë në këtë fushë sportive, ndërsa një kampionat i tillë i përmasave botërore vjen për herë të parë në Shqipëri.