Kuriozitet

Sicili, shiten të gjitha shtëpitë 1 euroshe

Descriptive Text

Oferta ka pas nga e gjithë bota, duke përfshirë amerikanë, arabë, kinezë, rusë, argjentinas, francezë, britanikë.

Janë vetëm disa nga nacionalitetet e banorëve që shpejt do marrin në pronësi shtëpitë e komunës së Sambucas në Sicili, ku në muajt e shkuar, administrata nxori në shitje përmes ankandit, me një çmim që nis me një euro, 16 shtëpi të braktisura në qendrën historike.

Iniciativa pati një sukses të papritur, me mbi 100 mijë e-mail dhe telefonata nga e gjithë bota me kërkesë për informacion, pas një kronike të transmetuar në kanalin e turizmit të rrjetit televiziv CNN.

Në pallatin Panitteri, u hapën 49 zarfe që përmbanin ofertat, përfshirë nga 1 mijë deri në 10 mijë euro, nga vende të ndryshme të botës.

Oferta më e lartë ka qenë për një pronë në rrugën “Marconi”. Një grua nga Virginia, SHBA, mbërriti në Sambuca personalisht për të parë shtëpitë që shiteshin dhe ofroi 21 mijë euro.

Tani pronarët e rinj do kenë në dispozicion një periudhë prej maksimumi 3 vjetësh për ristrukturim dhe për të marrë më pas pronën për të cilën kanë paguar.

“Që kur në vitin 2016 u zgjodhëm ‘Fshati i fshatrave’”, thotë zëvendës kryetari i Sambucas, Giuseppe Cacioppo, duke shtuar se kanë pasur një ‘bum’ turistik.

“Kur nxorëm projektin ‘Shtëpi 1 euro’ nuk e prisnim se do kishte këtë sukses. U ‘pushtuam’ nga qindra të huaj, shumë prej të cilëve u transferuan në vendin tonë. Sot po vjelim frytet e kësaj pune”, shtoi Cacioppo.

Edhe rrjeti amerikan “Discovery Channel” ka vendosur të blejë një shtëpi dhe t’ia dhurojë aktores Lorraine Braço për ta transformuar në setin e një programi të dedikuar pikërisht për fenomenin e Sambucas, komuna siciliane, e bërë tanimë e famshme në të gjithë botën./oranews