Edhe Macroni si Haradinaj, pre e humoristëve rusë

Edhe Macroni si Haradinaj, pre e humoristëve rusë

25 April 2019 14:06

Dy humoristët rusë, të famshëm për realizimin e telefonatave të profilit të lartë, thonë se e kanë mashtruar Emmanuel Macronin e Francës duke u shtirur si presidenti i ri i Ukrainës.

Çifti, Vladimir “Vovan” Kuznetsov dhe Alexei “Lexus” Stolyarov, rregullisht realizojnë këso telefonatash me njerëz të pasur e të fuqishëm, raporton AFP.

Kësaj radhe, ata u shtirën si Volodymyr Zelensky, që po ashtu është komedian, që fitoi zgjedhjet presidenciale të së dielës në Ukrainë.

Ata kanë publikuar në Youtube një bisedë telefonike 15 minutëshe me dikë që thonë se është lideri 41 vjeçar francez, që është moshatar me Zelenskyn.

Zelensky i rremë u shfaq i ekzaltuar me fitoren e madhe që rrëzoi nga pushteti Petro Poroshenkon me 73 për qind të votave.

“Shtatëdhjetë e tre për qind të ukrainasve, është e pabesueshme... Ndihem si (presidenti rus Vladimir) Putin që pati po atë përqindje”, tha ai me shaka, derisa biseda e incizuar vazhdonte në rusishte e frëngjishte me ndihmën e përkthyesve, transmeton Koha.net.

“Ndjej se, së paku në këtë fazë, sistemi juaj është më pak i organizuar (sesa i zotëri Putinit) dhe kjo e bën të gjithën më të natyrshme. Ende s’i keni futur në burg të gjithë kundërshtarët”, thotë personi që dy humoristët thonë të jetë presidenti Macron.

Zyra e presidencës franceze nuk ka pranuar të komentojë videon apo pretendimet.

“Presidenti padyshim se ka biseduar me Zelenskyn të dielën mbrëma, për çka edhe kemi lëshuar një komunikatë, siç ka bërë edhe pala e Zelenskyt. Kontakti është vendosur mes presidentit të Republikës (Macron) dhe homologut të tij ukrainas”, shton presidenca franceze.

Të kontaktuar nga AFP-ja, dy humoristët i qëndruan prapa tregimit të tyre dhe thanë se shpresojnë që Macroni “nuk është zemëruar shumë”.

“Vovan” dhe “Lexus” kanë një histori të tërë të telefonatave mashtruese, e në mesin e viktimave janë Elton John, ish-ministri i Jashtëm britanik, Boris Johnson dhe presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko.

Vovani i kishte thënë AFP-së më 2016 se çifti dëshiron të “ekspozojë fytyrën e vërtetë, hipokrizinë” e disa prej partnerëve të mëparshëm të Rusisë.

“Ne bëjmë gjëra që janë vetëm në interesin e vendit tonë”, tha Lexusi.

Kujtojmë se ditë më parë, pre e humoristëve rusë ra edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Të shtunën që lamë pas, Haradinaj përmes një postimi në Twitter, kishte uruar “kryeministrin e ri” të Ukrainës, Vovan Lexusovin, postim të cilin më pas e kishte fshirë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme