Gjendet pas 77 vjetësh anija australiane e fundosur nga Japonia

Gjendet pas 77 vjetësh anija australiane e fundosur nga Japonia

23 April 2019 14:10

Sidnej, 23 prill – Skeleti pothuajse i paprekur i një anijeje australiane, që u fundos nga një nëndetëse japoneze gjatë Luftës së Dytë Botërore, u gjet në juglindje të ishullit kontinent, njoftuan sot arkeologët.

”SS Iron Crown” që transportonte minerale, u fundos brenda 60 sekondash më 4 qershor të vitit 1942 pasi u godit nga një silur në brigjet e shtetit të Viktorias, një sulm i cili dëshmon karakterin global të konfliktit.

Tridhjetë e tetë nga 43 persona në bord vdiqën.

”Lokalizimi i anijes, 77 vite më vonë, do t’u mundësojë të afërmve dhe familjarëve të të zhdukurve në det që më në fund të qetësohen”, deklaroi arkeologu Peter Harvey.

Ai saktësoi se rrënojat e anijes ndodhen në 700 metra thellësi dhe rreth 100 kilometra nga brigjet dhe të krijon idenë sikur është pothuajse e paprekur.

Pesë të mbijetuarit e këtij sulmi të Marinës Perandorake Japoneze mundën të vishnin jelekët e shpëtimit dhe të kapeshin pas mbetjeve të anijes.

”Marina tregtare u bë shënjestër e sulmeve të vazhdueshme rreth brigjeve australiane mes qershorit të 1942 dhe qershorit 1943″, thuhet në një pllakatë përkujtimore, e vendosur në Mallacoota, rreth 515 kilometra në perëndim të Melburnit.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme