Kreativiteti i një lypësi: “Kjo është ideja ime 100 për qind. Cili është flamuri juaj?” Foto: Lekë Bisaku

Kreativiteti i një lypësi: “Kjo është ideja ime 100 për qind. Cili është flamuri juaj?”

18 April 2019 10:52

Në qendër të Hamburgut në Gjermani një lypës ka gjetur një mënyrë kreative që të grumbullojë më shumë para.

Në rrugën “Mönckebergstraße”, ku zakonisht njerëzit mblidhen për të demonstruar atraksione të ndryshme, muzikë, kërcime e gjëra të tjera, një nga lypësit ka gjetur një "atraksion" fitimprurës shumë origjinal, ka vizatuar flamujt e shteteve të ndryshme që i ka futur brenda një rrethi, transmeton Koha.net.

Në rreth ai ka shkruar “Kjo është ideja ime 100 për qind. Cili është flamuri juaj?”.

Njerëzit që kalonin vendosnin para në flamujt e tyre kombëtarë.

Aty nuk mungonin as flamujt e Kosovës dhe Shqipërisë, dhe në foton e shkrepur nga artisti Lekë Bisaku vërehen se edhe në flamujt shqiptarë janë vendosur para.

Fotografi Bisaku në një prononcim për Koha.net thotë se i kishte lënë përshtypje të madhe kjo mënyrë kreative për të mbledhur para.

“Rastësisht isha duke kaluar në qendër të Hamburgut, ku është një pjesë në të cilën zakonisht demonstrohen atraksione të ndryshme me muzikë, kërcime etj. ndërsa njerëzit që kalojnë anash iu japin pare. Ky zotëria e kish zgjedhur këtë mënyrë më të veçantë. Më bëri shumë përshtypje”, thotë Bisaku, i cili shton se s’mund t’i rezistonte që të mos vendoste para në të dy flamujt, atë të Kosovës dhe të Shqipërisë.

Bisaku, që është nga Bishtazhini i Gjakovës dhe që jeton tash dy vjet në Hamburg, thotë se fotografitë i ka shkrepur thjeshtë nga kureshtja.

E nga kureshtja ishte kthyer sërish te po i njëjti vend.

“Kam kaluar edhe njëherë. Vërejta se kishin vendosur më shumë para në flamujt e tjerë. Duket se njerëzit me përkatësi të ndryshme kombëtare pastaj kanë filluar të garojnë me njëri-tjetrin”, ka thënë Bisaku.

Bisaku, që ka kryer Akademinë e Filmit në Kosovë dhe ka punuar dokumentare artistike, thotë se është duke e praktikuar edhe më tepër gjuhën gjermane derisa shpreson që të jetë pjesë e AutoBild si fotograf.

Image

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme