Kryeministri australian i flet kinezisht një koreaneje – kritikohet për racizëm

Kryeministri australian i flet kinezisht një koreaneje – kritikohet për racizëm

13 April 2019 22:24

Kryeministri australian është bërë cak i shakave e kritikave pasi ka ngatërruar në mënyrë të turpshme një votuese aziatike për kineze në ditën e parë të fushatës së tij.

Scott Morrison doli rrugëve të Sidneit të shtunën për të nisur mbledhjen e votave të reja para zgjedhjeve parlamentare më 18 maj. Por, fushata e tij ‘hasi në gozhdë’ pas kësaj ngatërrese.

Videoja e liderit të Partisë Liberale, Morrison, e tregon atë teksa bisedon me votuesit në lagjen multikulturore Strathfield të Sidneit, kur ai ndalon për të përshëndetur një grua aziatike, raporton “Metro”.

Kryeministri shihet të buzëqesh derisa shtrëngon duart me të kurse gazetarët i qëndrojnë afër. Ai dëgjohet ta pyet gruan: ‘Tung, si jeni? Ni hao, si jeni?’ Por, në vend se të impresionohej nga shkathtësitë e kryeministrit në të folur, gruaja i përgjigjet: “Jo, jo, jo, jam koreane”, transmeton Koha.net.

Kryeministri, që është në post nga viti i kaluar, e dëgjon përgjigjen e gruas para se vazhdojë takimet me votues tjerë.

Veprimi i tij ngjalli reagim të shpejtë të publikut, ku shumë përdorues të Twitterit kritikuan ngatërresën ‘raciste’ të kryeministrit. Njëri shkroi: “Strathfieldi ka një popullatë të gjerë me koreanë. Të mendosh se janë kinezë është racizëm dhe goxha budallallëk”.

Tjetri thotë: “Scott Morrison akuzon Laburistët për racizëm. Më pas thotë, ‘Ni hao’ aziatikut të parë që e takon. Del se ajo është koreane. Racizëm i pastër”.

Ndërsa një aziatiko-australian nuk ia zuri për të madhe kryeministrit, ndonëse tha se ata nuk përshëndeten mes vete kinezisht.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme