Kuriozitet

Trajneri i klubit nga Premier Liga ua ndalon lojtarëve internetin

Ralph Hasenhuttl, trajneri i Southamptonit në Premier Ligën angleze, ua ka ndaluar lojtarëve të tij kyçjen në wi-fi nëpër hotelet e klubit për t’ua parandaluar atyre që të luajnë lojërat që i bëjnë të varur.

Hasenhuttl, që u përball me probleme të njëjta te ish-klubi Leipzig, i ka krahasuar lojërat me varësinë ndaj drogës dhe alkoolit.

“Është diçka që ju bën të varur dhe kjo nënkupton që duhet t’i mbrojmë futbollistët”, ka thënë 51-vjeçari.

Të enjten, një futbollist anonim ka pranuar se luajtja e video-lojërave ia ka rrezikuar karrierën. “The Sun” ka raportuar se futbollisti i divizioneve më të ulëta në futbollin anglez ka luajtur ‘Fortnite’ për gati 13 orë në ditë.

“Është diçka për të cilën duhet të veprosh kundër dhe unë do ta bëj këtë. E kam bërë në ish-klubin tim. Kemi pasur probleme me lojtarët – ata luanin deri në tre të mëngjesit para ndeshjes. Duhet t’u ndihmoni t’i ruani sepse nuk është problem i vogël. Nëse jemi të sinqertë, është e njëjtë si varësia ndaj alkoolit apo drogës”, ka thënë ai, para se skuadra e tij të përballet me Brightonin në Premier Ligë të shtunën, raporton BBC.

“Për t’i mbrojtur nënkupton që duhet ndihmuar duke mos shpenzuar shumë kohë aty. U kemi bllokuar wi-finë në hotel, për shembull, në mbrëmje ashtu që të mos luajnë më shumë”, ka shtuar ai.