Mësuesit e infermierët uzbekë detyrohen të pastrojnë rrugët për t’i ruajtur vendet e tyre të punës

Mësuesit e infermierët uzbekë detyrohen të pastrojnë rrugët për t’i ruajtur vendet e tyre të punës

07 February 2019 09:55

Infermierët dhe mësuesit në Uzbekistan po detyrohen nga zyrtarët shtetërorë të pastrojnë rrugët, të mbjellin drunj dhe të korrin grurin ose përballen me largim nga puna, me gjoba ose ulje page, pavarësisht një përpjekjeje qeveritare për t’i dhënë fund punës së imponuar nga shteti, kanë thënë të enjten grupe për të drejtat e punëtorëve.

Nën presionin ndërkombëtar, përfshirë edhe bojkotime nga gjigantë të modës, shteti i Azisë Qendrore ka dhënë shenja se do të ndalojë punën e detyruar nga të rriturit dhe fëmijët në industrinë e pambukut – për ç’gjë është eksportuesi më i madh në botë.

Por punëtorët e sektorit publik janë ende të detyruar nga qeveria të kryejnë edhe punë tjera, ka thënë Forumi uzbeko-gjerman për të Drejtat e Njeriut dhe Qendra Amerikane për Solidaritet në një raport të zbuluar nga “Thomson Reuters Foundation”.

Raporti – i bazuar në intervista me rreth 260 persona si mësues e punëtorë shëndetësorë – ka gjetur se largimi i shërbyesve civilë nga puna e tyre primare dëmton shërbimet, përfshirë edhe kujdesin shëndetësor.

“Ekziston një traditë, ose një kulturë, në Uzbekistan që njerëzit të detyrohen të bëjnë punë pa pagesë, punë publike”, ka thënë Umida Niyazova, drejtore e Forumit uzbeko-gjerman për të Drejtat e Njeriut, transmeton Koha.net.

“Pambuku nuk është sektori i vetëm ku ekziston puna e detyrueshme”.

Ministria e Punës në Uzbekistan ka thënë se Qeveria ka miratuar rregullore që kanë për qëllim parandalimin e punës së detyruar, ndërsa autoritetet udhëzohen që të “eliminojnë mangësitë në punën e institucioneve shtetërore” dhe të “çrrënjosin plotësisht punën e detyruar”.

“Për shumë vite, ekzistenca e punës së detyruar në vendin tonë ka qenë e fshehur”, ka thënë Erkin Mukhitdinov, zëvendësministër i Ministrisë së Punës, për “Thomson Reuters Foundation”.

“Sot, pranojmë haptazi se ende ka raste... në mbledhjen e pambukut si dhe në pastrim të rrugëve e fusha tjera”.

Rreth 25 milionë njerëz globalisht vlerësohet se janë viktima të punës së detyruar – nëpër ferma, fabrika dhe në varka peshkimi – ndërsa 4 milionë nga ta kryejnë punë të imponuara nga shtetit.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme