Moratorium i gjuetisë rikthen lejlekun e rrallë në rezervuarin e Gjirokastrës

Moratorium i gjuetisë rikthen lejlekun e rrallë në rezervuarin e Gjirokastrës

18 January 2019 09:32

Gjirokastër, 18 janar – Një individ i lejlekut (Ciconia ciconia) u vërejt në datë 13 janar në rezervuarin e Bulos në Gjirokastër, gjatë kryerjes së censit të shpendëve të ujit në këtë zonë, bën të ditur ATSH.

Vrojtimi u krye nga grupi i përbashkët i PPNEA-së dhe AdRZM Gjirokastër. Ky vrojtim përbën të dytin të këtij lloji gjatë dimrit, pas atij të vitit 2017. Lejleku është lloj folezues në vendin tonë dhe dimëron në Afrikë dhe ky lloj përfaqëson një ndër llojet më të rrallë në vendin tonë, me një popullatë prej 5-7 çifte folezuese.

Në të kaluarën folezimi i lejlekut në Shqipëri shtrihej pothuajse në të gjithë territorin e vendit, ndërsa në të sotmen çiftet folezuese gjenden vetëm në Jug, në luginën e Bistricës, atë të Lumit Drino si dhe një çift në qytetin e Fierit. Në grupe më të mëdha, në vendin tonë shihet gjatë periudhës së shtegtimit.

Raportimet për dimërimin e këtij lloji në Europë tanimë nuk janë të rralla, p.sh. në zonën e Montpeliesë në Francë të dhënat sistematike tregojnë rritjen e numrit të individëve dimërues gjatë dekadave të fundit.

Në Ballkan, raportimet për dimërimin e individëve të veçuar të këtij lloji janë shumë më të rralla, por tashmë jo krejësisht të pazakonshme. Është vërtetuar se një ndër arsyet që lejleku zgjedh të dimërojë në jug të Europës dhe jo më tej drejt Afrikës është rritja e mundësisë së individëve të rinj për të mbijetuar.

Arsye të tjera për vrojtimet e këtij lloji gjatë dimrit mund të jenë, por jo domosdoshmërisht gjendja e dobët fizike e individëve të caktuar për shkak të sëmundjeve të ndryshme ose dëmtime fizike.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme