Kuriozitet

Përplasje për monedhat e shatërvanit të Trevit në Romë

Një mosmarrëveshje ka shpërthyer mes kryebashkiakes së Romës dhe Kishës Katolike romane, në lidhje me atë që do të ndodhë me monedhat e marra nga shatërvani i Trevit.

Çdo vit, rreth 1.5 milionë euro nxirren nga shatërvani i famshëm. Tradicionalisht, ato i jepen një organizate katolike bamirësie për të ndihmuar njerëzit në nevojë, por tani, kryebashkiakia e Romës Virginia Raggi kërkon që paratë të shpenzohen për infrastrukturën e dëmtuar të qytetit.

Organizata humanitare “Karitas” thotë se, humbja e këtyre të ardhurave do të rëndojë mbi të varfrit.

“Ne nuk e kishim parashikuar këtë rezultat”, thotë drejtori i “Karitasit”, At Benoni Ambarus. “Unë vazhdoj të shpresoj se ky nuk është një vendim përfundimtar”.

Mediet italiane e kanë pasqyruar gjerësisht konfliktin, nën tituj si “Paratë u merren të varfërve” etj..

Këshilltarët e qytetit e kanë miratuar ndryshimin, që pritet të hyjë në fuqi në prill. Sidoqoftë, shumë italianë u janë drejtuar medieve sociale për t’iu kërkuar këshilltarëve të rishikojnë vendimin.

Raggi e mori kontrollin e Romës në vitin 2016, nën siglën e “Lëvizjes 5 yjet”. Popullariteti i saj ka shënuar rënie, për shkak të dështimit në adresimin e problemeve të pafundme të qytetit.

Shatërvani i Trevit, rreth 300-vjeçar, vizitohet nga miliona turistë çdo vit. Tradita e hedhjes së një monedhe në të është bërë e famshme nga kënga e Franc Sinatrës “Tre monedha në shatërvan”, në një komedi romantike të vitit 1954 me të njëjtin titull.

Po ashtu, shatërvani shfaqet edhe në filmin e vitit 1960, “La Dolce Vita”, ku aktorja Anita Ekberg futet në ujërat e tij.