Si investova 5 mijë funte në bitcoin, por i humba 1 milion

Si investova 5 mijë funte në bitcoin, por i humba 1 milion

11 January 2019 14:02

Deri në vitin 2016, drejtoja një agjenci marketingu në Londër. Në kulmin e suksesit, kisha 35 punëtorë dhe fitime 3 milionë funte. Kur agjencia u shpërbë, vendosa të investoj në bitcoin.

Bitcoini është kriptomonedhë, një lloj i parasë elektronike që mundëson tregti pa monedhat bankare. Është e lirë dhe shumë efikase në transferime të monedhave. E pata përdorur për të blerë ilaçe për nënën time që kishte kancer. Kisha investuar edhe një herë në vitin 2013, por në vitin 2016 dukej se tregu kishte ecur përpara dhe vendosa se ishte mënyrë e mirë për të bërë pak para, transmeton Koha.net.

Në janarin e vitit 2017, investova 5 mijë funte. Një bitcoin kishte vlerën e 600 dollarëve, prandaj unë i bleva shtatë apo tetë copë dhe paratë e mbetura i shpenzova në kriptomonedha tjera. Brenda disa javësh unë u gëzova sepse fitova 23 mijë funte. Më kujtohet kur u thosha njerëzve: “Mendoj se vlera e bitcoinit sivjet mund të shkojë deri në 2 mijë dollarë”. Parashikimi im doli i pavlefshëm pasi vlera e tij hipi për dhjetë herë më shumë. Kah mesi i pranverës së vitit 2017, kisha 300 mijë funte fitime, ndërsa kah vera kisha gjysmë milioni. Interesimi i mediave për bitcoinin kishte filluar të rritej dhe shokët më pyesnin se si mund të përfshiheshin. Kështu që hapa një grup në Facebook, pastaj një ueb-faqe. Derisa rritej interesimi, rritej edhe numri i njerëzve që investonin dhe kjo hapi mundësinë e krijimit të flluskës; por shumë prej nesh ishim aq të papërqendruar në këtë gjë.

Në fund të vitit 2017, bitcoini kishte arritur vlerën gati 20 mijë dollarë dhe kuleta ime kishte 1.2 milionë dollarë. Këtu më rrëshqitën gjërat nga duart. Gjithmonë kam ëndërruar të blejë klubin e qytetit, Bedford Town, të bëhesha drejtor dhe t’i çoja në ligë. Tërë projekti kushtonte 5 milionë funte. Ky ishte synimi im dhe këtë vlerësova se mund ta arrija brenda gjashtë muajsh.

Gjatë kësaj periudhe udhëtoja nëpër botë për intervista të shumta. I çoja shokët nëpër restorante të shtrenjta dhe blija dhurata luksoze për familjen. Nuk jam person që mendoj shumë për të ardhmen, por dhurova 6 mijë funte për spitalin e qytetit. Kishte qenë mirë sikur t’i blija dy shtëpi, por e teprova. Këtu ishte momenti që mendoja se mund të arrija ëndrrën time të fëmijërisë.

Në fund të janarit 2018 shpërtheu flluska dhe vlera e bitcoinit ra. Kishte disa rënie edhe gjatë vitit 2017, por kthehej prapë, prandaj nuk isha shumë i shqetësuar. Por gjatë tërë vitit, shikoja teksa bitcoini fundosej, së bashku me gjitha kriptomonedhat tjera ku kisha investuar dhe i thosha vetes: “Tani nuk mund t’i shesësh...” Kështu veprova deri në fund të vitit të kaluar derisa vlera vazhdonte t’i binte. Pak a shumë, çdo gjë që krijova u shkatërrua.

Ka shumë njerëz që kanë investuar më shumë, por nuk humbën aq sa humba unë. Do të doja që të kisha tërhequr paratë para se të shpërthente flluska, por nuk u pendova. Për momentin, po kënaqem duke parashikuar [lëvizjet e kriptomonedhave], që më siguron të ardhura për jetesë. I kam shitur bitcoinët që kanë vlerë 4 mijë dollarë. Nëse do më duhej të zgjidhja mes humbjes së 1.2 milionë funteve dhe analistit, preferoj t’i humbi paratë sepse më pëlqen kjo punë. Ende besoj se bitcoini është forcë për të mirë. Për shembull gratë në Afganistan nuk u lejohet të hapin llogari bankare, prandaj ato mund të paguhen me bitcoin që mund të ndihmojë në stabilizimin e botës.

Vështrim i Peter McCormak për The Guardian

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme