Kuriozitet

Lituania dyshon se kompania ruse e taksive mund të jetë duke spiunuar

Në shtetin baltik të Lituanisë po zien një debat mbi një shërbim taksish në pronësinë ruse, për të cilin qeveria e Vilniusit po paralajmëron se mund të jetë duke përgjuar përdoruesit përmes telefonave të tyre celularë.

Por a është aplikacioni për shërbimin e taksive taktika e fundit e Kremlinit, apo kemi të bëjmë thjesht me një ndjenjë paniku ndaj çdo gjëje ruse?

Gunaras Riabokas thotë se të qenit taksist në rrugët e Vilniusit e ka bërë atë anketuesin jo zyrtar të opinionit publik në Lituani.

“Kam shumë klientë që ndajnë me mua gjërat që dinë dhe dëgjojnë çdo ditë. Di më shumë gjëra se kushdo tjetër”.

Këtu përfshihet edhe preferenca e klintëve për taksitë.

“Duan taksi me çmim të ulët. Çmimi është gjithçka”, thotë taksisti.

Tregu lituanez përfshin kompaninë amerikane ‘Uber’, vendasen ‘Taxify’ dhe kompaninë ruse ‘Yandex Taxi’ të cilat funksionojnë përmes aplikacioneve në telefonat celularë.

Kompania ruse “Yandex” ofroi aplikacionin e taksive në tregun e hapur të vendeve baltike në pranverën e këtij viti.

Por shtimi i suksesit ka tërhequr vëmendjen e Ministrisë së Mbrojtjes së Lituanisë, e cila ka ngritur shqetësime rreth grumbullimit të paligjshëm të të dhënave personale përmes aplikacionit, që ka qasje tek kontaktet e përdoruesit në celular, tek mikrofoni dhe kamera. Edvinas Kerza është zëvendësministër i Mbrojtjes së Lituanisë.

“Qendra jonë kombëtare e sigurisë kibernetike bëri hulumtime për të parë se ku shkojnë të dhënat nga aplikacioni i telefonit dhe doli se ato dërgohen në Rusi”.

Lituania thotë se kjo mund të bjerë ndesh me ligjin e Bashkimit Evropian dhe ka ndaluar përdorimin e aplikacionit nga zyrtarët e qeverisë si dhe lëshoi një paralajmërim për publikun, ndërsa pritet një hetim.

Por në Moskë, ‘Yandex Taxi’ thotë se akuzat janë të pabazuara. Qasja në informacionet e celularëve thjesht përmirëson shërbimin, thonë ata, dhe se të dhënat e përdoruesve ruhen brenda qendrave evropiane të të dhënave.

Aram Sargsyan është drejtor Rajonal i Evropës për kompaninë ‘Yandex Taxi’.

“Nëse dikush ka dyshime... kryesisht zyrtarët e qeverive baltike, ne jemi të hapur, jemi të gatshëm për të gjitha kontrollet e nevojshme. Jemi gati për të diskutuar.”

Akuzat e kanë tërhequr aplikacionin në një ballafaqim më të gjerë Rusi-Perëndim mbi çështje që përfshijnë Ukrainën dhe ndërhyrjen në zgjedhje.

Por a është ‘Yandex Taxi’ mjeti i fundit i taktikave hibride të Kremlinit apo thjesht një kompani e përgojuar thjesht sepse është ruse?

Në rrugët e kryeqytetit Vilnius, pikëpamjet ndahen përgjatë linjave etnike, ku njerëzit janë të ndërgjegjshëm për të kaluarën e Lituanisë nën sundimin sovjetik.

“Çfarë informacioni sekret mund të kem unë? Është për shkak se ‘Yandex’ është ruse dhe po i vënë fajin”, thotë në rusisht një grua e moshës së mesme.

“Është rusofobi, është politikë”, thotë në rusisht një burrë.

Ndërsa një i ri student shprehet në anglisht se: “Nuk do ta përdor aplikacionin sepse është rus”.

Të tjerët kanë mendime të ndryshme.

“Mendoj se ende ka një stigmë mes rusëve dhe lituanezëve.”

Por në një epokë kur mbrojtja e të dhënave nga të gjitha kompanitë teknologjike, përfshi ato perëndimore, janë nën mikroskop, disa lituanezë po zgjedhin rrugë të tjera.

“Jam e re dhe mund të ecë, nuk kam nevojë për taksi.”

Të ecësh. Sikur të kishte edhe një aplikacion për të.